MENU
klinika

"Ta çojmë deri në fund atë që nisëm në Dhjetor..."

Epilogu i protestës studentore…

14.08.2019 - 21:25

*Igli Tola, MsC Financë, diplomuar me rezultate të shkëlqyera

Jemi veçse pak javë nga përmbyllja e vitit akademik për një pjesë të madhe të universiteteve shqiptare.

Nuk është tharë ende boja nga provimet e sezonit apo procesverbalet. Edhe emocionet janë ende të gjalla ndër studentët që përfunduan një cikël studimesh duke mbrojtur diplomën para
pedagogëve që i shoqëruan përgjatë gjithë jetës universitare.
Të gjithë studentët pa përjashtim përjetuan ankthet dhe emocionet e rralla akademiko-administrative të një vit të pazakontë dhe të shtyrë në kohë si ky. I tejzgjatur për shkak të asaj që ndodhi pothuaj shtatë muaj nga sot, ndodhi që mbase një pjesë e mirë e jona e kanë harruar për shkak të rutinës së ngarkuar, por që e shkundi sadopak institucionalisht dhe kulturalisht realitetin tonë të lodhur tridhjetëvjeçar.

Edhe atyre që e kanë harruar, mjafton tu kujtosh masën e madhe të studentëve që u derdh rrugëve të Tiranës, e më vonë të gjithë Shqipërisë për tu gërvishtur paksa memorien e atyre ditëve të lavdishme. Me kërkesa bazike, që ndokush i interpretoi si infantile dhe joserioze, por që ishin të sinqerta dhe spontante si mosha jona na bënë së paku të ndihemi krenar dhe të vlefshëm së paku
për diçka në jetën tonë. Kërkuam të rishiheshin tarifat e padrejta, kushtet e këqija të konvikteve dhe auditorëve, niveli akademik i stafit akademik; pra në thelb një arsim të vërtetë dhe më të mirë.

Ato ditë dhjetori qenë dramatike për çdo universitar, qoftë student, pedagog, por edhe për ata që s’kishin kurrfarë lidhje të drejtëpërdrejtë me botën universitare (pasi ose kishin të afërm një student,
ose në rastin më të keq inatoseshin nga trafiku i shkaktuar nga bllokimi i rrugëve).

Kryefjala e atyre ditëve ishin studentët.

Falë protestës së tyre masive u duk se po shkundej, jo vetëm vetëdija e pluhurosur e disa individëve nëpër universitete apo zyra shteti, por edhe pluhuri thuajse dogmatik i idesë se shqiptarët nuk ngrihen dot të protestojnë, sepse kanë rënë në një gjendje letargjikisht të tmerrshme apatie.

Gjatë dhjetorit dhe ditëve të para të janarit, pati shumë ndër ata që u strapacuan ta mbanin gjallë shpirtin e protestës, sepse kërkesat e studentëve i shihnin si legjitime dhe utilitare. Pastaj me studentët i bashkuan radhët entuziastë që mezi ç’prisnin një shenjë jete protestuese, tuhafë që mezi ç’prisnin ta fusnin fytyrën në një kuadër kamere dhe të shijonin famën e freskët apo ëndrrën politike rezultoi të ishin si ‘gjumë i ëmbël mbi dafina’, pazarxhinj të dëshpëruar që mezi ç’prisnin të përçanin studentët etj. Nga këta të fundit, spikatën edhe disa pseudo-akademik të dëshpëruar për tu bërë ‘pak Dekan’ apo që u angazhuan ta përdornin masën studentore si ‘mish për top’ për të goditur ‘nën brez’ drejtuesit apo kolegët e tyre, vetëm e vetëm për të fituar pikë në sytë e studentëve dhe të zinin postin e dëshiruar prej vitesh.

protesta e studenteve-konica.al

Nëse në mendje ekziston dëshira, çdo gjë mund të arrihet“, thoshte Sun Tzu një nga strategët më brilant kinez, por nqs i hedhim një sy objektiv në retrospektivë gjithçka ndodhi ato ditë, kjo nuk
rezultoi plotësisht e vërtetë në rastin tonë.

Qeveria futi në ligjërimin publik pyetjen thuajse retorike “kur do flasim”, telikosi fjalën kyçe ‘dialog’ dhe premtoi një marrëveshje me emër pompoz ‘pakt’,
e cila u pranua në heshtje.

Pra, u arrit një gjysëm-fitore si ajo e Pirros, sespse ‘falanga’ protestuese
u shpërnda nëpër fushë-betejë.

Pas ditëve të para, ‘ca i binim gozhdës, disa të tjerë patkoit’, pasi disa mendje të iluminuara na mësuan të mos i kërkonim zgjidhjet nga qeveria, por nga Univeristeti:
të ngujoheshim aty, sulmonim Dekanët etj.
E kështu ajo që nisi me shumë shpresë dhe pritshmëri, që u duartrokit nga plot e u shajt nga pak, nuk arriti dot të dilte mbi veten dhe ngjallte shpresën e lëvizjes së viteve 90′.
Duhej të bënim më shumë në organzim, e më tepër akoma për frymëzimin e masës.

Por, ia dolëm së paku të kuptojmë forcën që kemi për të ndryshuar gjërat kur bëhemi bashkë, vetëm se tani duke mos u fokusuar vetëm në interestat tona të ngushta, por të ngrihemi në nivelin e pritshmërive të bashkëekombësave tanë.

E nëse ndokush ka mëdyshje mbi mundësinë e realizimit të kësaj gjëje, të shohi ç’po ndodh në Hong-Kong.

Javë më parë, studentët u ngritën në protestë për cënimin e autonomisë nga shteti kinez, edhe pse kishin halle personale shumë më të mëdha mbi krye. Shkollimi, strehimi, konviktet kanë çmime të çmendura që janë pothuajse të papërballueshëm për vendasit. Ata vendosën çështjet kombëtare, mbi ato personale. E çështja kombëtare atje nuk është ‘gallat’ apo ‘qyfyre’ siç mendojnë disa këtu te ne.

E përballë, nuk kishin një pushtet të madh në shtat, por me ‘dhëmbë të rënë’, por një superfuqi botërore, mbi të gjitha me një organizim ‘quazi’ perfekt, si Kina komuniste.

Një shtet, që para tre dekadash nxorri ushtrinë dhe tanket për të vrarë plot 10.000 studentë nëpër rrugët e Kinës (në
Tiananmen), vetëm se kërkonin liri. Pra, me pak fjalë nuk ta përton të të ‘heqi’ qafe në fraksion sekondash.

Ndërsa këtë herë, pavarërisht shumë presioneve e sulmeve (jo vetëm nga instancat shtetërore, por edhe banda famëkeqe TRIADA, po aq e rrezikshme sa JAKUZA japoneze)1000 studentët e
parë, ia arritën të motivonin afro 1.5 milion qytetarë të tjerë tu bashkoheshin në rrugë (mbi 20% e popullatës së ishullit) edhe pse e dinë rrezikun që u kanoset, është njësoj si të ‘vallëzosh’ në gojën e ujkut.
Ndaj, nqs shtatori është afër e shumica prej nesh do të jemi kthyer nga pushimet me mendje të freskët të shpresojmë të gjejmë sado pak frymëzim nga ajo ç’ndodhi në Hong-Kong dhe ta çojmë
deri në fund atë që nisëm Dhjetorin e shkuar. Të mos mjaftohemi me faktin që i dhamë ndonjë ‘shuplakë’ dikujt, apo të ‘ngopemi’ me disa lugë ‘boshe/gjysëmboshe’ që na ofrohen, por të tregohemi largpamës.

Ndryshimi është shumë më i arritshëm tanimë që frikën e reagimit e vramë, vetëm duhet të mos shohim vetëm interesat dhe problemet tona momentale.