MENU
klinika

Kursi i këmbimit

Euro zbret nën 121 lekë, sot rrezikon të shkojë deri në 120

06.08.2019 - 08:57

Monedha e përbashkët euro u këmbye dje në tregun e këmbimit poshtë kuotës së 121 lekëve duke iu afruar nivelit më të ulët historik të të gjitha kohërave.

Një euro u këmbye me 120.75 lekë sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Euro u ul me 0.59 pikë në raport me një ditë më parë, në këmbim me monedhën vendase. Ulja e euros këto ditë lidhet me prurjet e larta në valutë të krijuara nga sezoni turistik, që është në kulmin e tij dhe prurjet e emigrantëve.

Ekspertët e këmbimit valutor e konsiderojnë sjellje sezonale këmbimin e euros në raport me lekun, teksa shifrat zyrtare tregojnë për numër më të lartë turistësh që po vizitojnë vendin këtë vit sidomos nga Europa Perëndimore.

Me këtë rënie, euro po u afrohet rekordeve historike në këmbim me lekun, kur në gjashtëmujorin e parë të vitit 2008, 1 euro kushtoi 120.4 lekë. Ky ishte niveli më i ulët që kur monedha e përbashkët nisi të përdorej si mjet monetar unik nga BE.

Në tregjet ndërkombëtare, euro vijoi të rritet në këmbim me dollarin, pas rënies që nisi javën e fundit. Një euro në tregjet ndërkombëtare kushtoi sot 1.117 USD, duke u mbiçmuar me 0.59 pikë sipas agjencisë së lajmeve Bloomberg.

Më herët gjatë javës, dollari u rrit në nivelin më të ulët në dy vjet ndaj euros dhe kërceu nivelin më të lartë të dy muajve ndaj jenit ditën e enjte, pasi kreu i Rezervës Federale të SHBA-së, Jerome Powell përjashtoi një cikël të gjatë uljesh të normave të interesit, pasi mbrëmë u bë ulja e parë që nga periudha e krizës financiare. Në një lëvizje gjerësisht të pritur, Banka Qendrore e SHBA-së uli normën e interesit me 25 pikë bazë, në mënyrë që të mbrojë ekonominë nga kriza, përfshirë dhe tensionet tregtare. Në një konferencë për shtyp pas vendimit të FED, Powell tha “ky nuk është fillimi i një serie të gjatë uljesh të normave të interesit.” Në të njëjtën kohë, “Nuk thashë që është vetëm një ulje normash.” Euro ra në $1.1034, niveli më i ulët nga 16 maji 2017, dhe më pas shkoi në $1.1045.

Që prej mesit të vitit 2016, kur këmbehet me rreth 138 lekë, euro ka shënuar rënie të ndjeshme në tregun e brendshëm, duke rënë me 16.5 lekë.

Nga janari i këtij viti, monedha e përbashkët është nënçmuar me rreth 4 lekë. Oferta e lartë në euro dhe ngadalësimi i qarkullimit të monedhës vendase janë arsyet kryesore që kanë ndikuar në këtë tendencë.