MENU
klinika

Tribalizimi dhe politika ndër shqiptarë

Fatkeqësisht, mënyra fisnore e të bërit politikë, vazhdon të mbijetojë!

09.08.2019 - 19:27

*Nga Fadil Sahiti

Mënyra e bërjes së politikës nga partitë tona, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni… është akoma në fazën e tribalizmit.

Pa pretenduar të bëj një analizë të plotë të asaj se çfarë nënkuptohet me mënyrën e mendësisë dhe jetesës fisnore, kam marr nocionin e përdorur nga Karl Popper lidhur me këtë temë. Padyshim, nuk ka “mënyrë të uniformuar të jetës fisnore”, por ai e përshkruan atë si shoqëri që jeton në vendbanime të fortifikuara, të sunduara nga shefat e fisit ose oligarkët.

Mënyra se si funksionojnë sot organizatat tona politike, i ngjan shumë kësaj.

Për shembull, në Kosovë, politikanët e kanë ndarë vendin në disa vendbanime të fortifikuara. Kemi fortesat politike të bazuara në Drenicë, atë të rajonit të Dukagjinit, të Llapit, rajonin e vogël në Prizren të quajtur Vrrini, rajonin e Malishevës, si dhe një fis politik tjetër më të vogël me qendër në Klinë. Politika tribale mund të jetë më komplekse në Shqipëri, por duket ndarja e kontrollit politik atje është më e thjeshtë – jug dhe veri.

kolana e librave

Ka disa arsye për të besuar se kjo mënyrë e të bërit politikë është primitive.

Frika është faktori bazë në vendimin për votën. Një pjesë e racionalizojnë frikën me vendin e punës, ngase shefat e fisit apo oligarku mund ta kuptojë vendimin e votës sime. Një pjesë tjetër mund ta racionalizojë atë me frikën e ndryshimit të rutinës – një frikë që mund ta gjejmë vetëm tek fëmijët shumë të vegjël.

Kjo është mënyrë tipike e organizimit fisnor.

Popperi thoshte se në mënyrën fisnore të të jetuarit, ka pak probleme dhe asgjë nuk është ekuivalente me problemet morale. Njerëzit rrallë e gjejnë veten në pozitë të mëdyshjes se si duhet të vepruar. Mënyra e duhur e veprimit përcaktohet gjithmonë nga tabutë, nga traditat fisnore magjike që kurrë nuk mund të jenë objekt i analizës kritike. Traditat fisnore karakterizohen më vetëdijen kolektive e cila nuk lë vend për përgjegjësi personale. Më e keqja, kjo traditë fisnore nuk lë vend për shqyrtim kritik – ta zëmë të rezultateve të punës të shefave të fisit.

Një manifestim tribal u manifestua dje nga një parti e madhe politike shqiptare në Kosovë. Ngjashëm e ndoshta më keq, kulturë tribale kanë shfaqur më herët pothuajse të gjitha partitë shqiptare, kudo në Ballkan.

Fatkeqësisht, mënyra fisnore e të bërit politikë, vazhdon të mbijetojë suksesshëm… ndër shqiptarë