Etrit Berisha ishte më i vlerësuari në radhët e SPAL-it pas humbjes 2-3 me përmbysje ndaj Atalantës.
“Gardiani” shqiptar bëri gjithçka mundej për të ndalur furinë e bergamaskëve, me të cilët luante deri pak muaj më parë. Trajneri i Atalantës, Gian Piero Gasdperini, e vlerësoi maksimalisht 30-vjeçarin, që me pritjet e tij e mbajti të hapur sfidën deri në fund.
“Teknikisht, ishte një ndeshje e mirë. Berisha ishte më i miri në radhët e SPAL-it. Etriti është një ish-i ynë, me të vërtetë qe mjaft e vështirë për ta kapërcyer. Atalanta mundi një ekip që me ish-in tonë bëri me të vërtetë mirë”.
Fjalët e Gasperinit janë në sinkron me notën (7) që specialistët italianë i kanë dhënë Berishës.
“Një ndër më të mirët në fushë. Atalanta, në fakt, e bombardoi me goditje, edhe nga shumë afër, por ai u përgjigj gjithmonë në kufijtë e të mundurës. I pafajshëm si në rastin e golit të Gosens, ashtu edhe në dy goditjet tepër të sakta të Murielit.”