Gola, spektakël dhe shumë polemika, por edhe konfirmime. Ka nisur në këtë mënyrë sezoni i ri i Serie A, që pa Juventusin dhe Napolin menjëherë pretendentë, ashtu siç ishin edhe parashikimet.
Me një gol të kapitenit Chiellini, “Zonja e Vjetër” debtutoi me fitore në transfertën e Parmës. Por më shumë se tri pikët e marra nga kampionët italianë në premierën e kampionatit, është goli i anuluar i Cristiano Ronaldo që po bën shumë zhurmë.
Sulmuesi portugez gjeti rrugën e rrjetës në ndeshjen e parë të sezonit, por sistemi VAR e konsideroi të parregull për shkak të një pozicioni jashtë loje milimetrik.
Por edhe teknologjia nuk bind tifozët, me dyshime legjitime edhe kur sheh pamjet e ndaluara. Polemikat do të vazhdojnë gjatë, ashtu siç ndodh në kampionatin italian, por ajo që mbetet është nisja me fitore e Juventusit në misionin për të vazhduar dominimin në Serie A.
Me këmbën e mbarë ka nisur sezonin edhe Napoli, që me një festival golash mundi në transfertë 4-3 Fiorentinën.
Edhe në këtë sfidë shumë polemika për dy penalltitë e akorduara, një për secilën skuadër. Nën akuzë sistemi VAR, por kjo nuk prish festën e skuadrës së Carlo Ancelotti që i përgjigjet nga distanca rivalëve në garën për titullin kampion.
Vetëm 16 minuta në këtë sfidë për Elseid Hysaj, I hedhur në fushë si zëvendësues në minutën e 84-rt.
Për Fiorentinën debutuan dy blerjet e mëdha të verës, Kevin Prince Boateng, menjëherë me gol dhe Frank Ribery.