Një nga shkencëtaret më të shquara shqiptare ka qenë dhe libohovitja Sabiha Kasimati. Ajo ishte me profesion ihtiologe.
Sabihaja pati fatin të lindë në një familje të njohur libohovide që dhe pse jetoi jashtë, i rriti fëmijët e saj me vlera të veçanta karakteriale dhe me dashuri të madhe për atdheun. I ati, Abdurrahman Kasimati ishte biri i një kadiu të njohur Veli efendiut që nuk e bëri djalin kadi sipas traditës shumëvjeçare të familjes, por e futi në shkollën perandorake të mjekësisë. Abdurrahmani shërbeu në shumë vise të Perandorisë Osmane.
Mbas një eksperience shumë vjeçare në shumë shtete të perandorisë ai kthehet me familjen në atdhe. Fillimisht u vendos në Korçë. E bija, Sabihaja, ndoqi në Korçë studimet në liceun francez që e mbaroi në vitin 1931.
Ishte një nxënëse shembullore dhe në librin e liceut mësuesi i merituar Xhufi Bino do të shkruante për të: “…Vajza e parë që ndoqi dhe mbaroi me sukses liceun, në vitin 1931, ishte një libohovite Sabiha Kazimati, që guxoi dhe theu paragjykimet dhe u hapi rrugën në këtë mënyrë vajzave të tjera të ndiqnin atë shkollë shumë të lakmuar.
Sabihaja çau në rrugë të pashkelura me personalitetin e një vajze të zgjuar e guximtare. Gjithë Korça e njihte Sabihanë që shoqërohej si djalë me shokët e klasës. Mbante mbi kokë kasketën e liceut me shiritin me ngjyrat e flamurit kuqezi dhe gjithkush në Korçë e shihte atë vajzë me nder e respekt sepse ishte e shkathët, e qeshur e gjithë optimizëm…”
Sabihaja ishte aq inteligjente sa do ishte gjithnjë e para e klasës. Pikërisht në atë kohë do të zgjidhte të studionte një degë shumë të veçantë për ihtologji, pjesë e zoologjisë që merret me studimin e peshkut.
Studimet i mbaroi shkëlqyeshëm dhe mund të vazhdonte karrierën e saj në Itali, ku pati me të vërtetë oferta të mira. Profesorët ngulmonin që të qëndronte në Itali, por ajo vendosi të kthehej në Shqipërinë e saj.
Universitetin e mbaroi me 30 e lode dhe në vitin 1941 mbrojti dhe doktoraturën. Sapo u kthye në atdhe u caktua mësuese biologjie në Institutin femëror “Nëna Mbretëreshë” ku gjeti shumë kolegë, intelektualë, në tërë kuptimin e fjalës, të cilët e donin dhe e respektonin shumë për kulturën e saj.
Disa probleme shëndetësore e shtyn që të shkojë për kurim në Itali ku qëndroi deri në verën e vitit 1945. Pas kthimit në Atdhe do të emërohet në Institutin e Shkencave. Ky institucion mblodhi elitën intelektuale shkencore të asaj kohe.
Dr. Sabihaja u emërua shefe e sektorit të zoologjisë, por ajo vetë u mor me ihtiologji. Fushën që e kishte hulumtuar që nga studimet e saj universitare dhe që e kishte pasion të madh të jetës. Studioi gjithë faunën ihtiologjike detare dhe liqenore të ujërave territorialë shqiptarë.
Pas dhjetë vjet kërkimesh ajo arriti të evidentonte të gjithë faunën ujore shqiptare dhe bëri dhe klasifikimin në tahsionominë ihtiologjike në klasa, gjini, lloje e nënlloje peshqish, përcaktoi zonat e përhapjes së llojeve më të rëndësishme të peshqve, ciklet biologjike të tyre etj. Mbas një pune kërkimore shkencore në të gjithë detet dhe liqenet e Shqipërisë ajo përgatiti monografinë voluminoze “Peshqit e Shqipërisë”.
Këtu do të lindë zhgënjimi i madh i jetës së saj. Monografia do të botohej me emrin e rusit Anatoli Poljakov dhe jo me emrin e saj.
Sabihaja ishte një shkencëtare e kalibrit evropian që njihej nga të gjitha qarqet shkencore të Evropës por ishte dhe idealiste dhe me ide të mëdha patriotike. Mendimet e saj mbi bashkimin me Kosovën si dhe qëndrimi i saj kundër vendimeve komuniste, bie në sy të Sigurimit të Shtetit. Kështu në 22 shkurt 1951 arrestohet midis 81 intelektualëve antikomunistë.
Dhe pa u bërë asnjë gjyq ajo do ekzekutohet 4 ditë më vonë. Ishte e vetmja grua mes 22 të dënuarve.
Gjatë ditëve në hetuesi Dr. Kazimati nuk e humbi kurajon civile qytetare, guximin e saj dhe fjalët e saj ishin:”Kam qenë dhe jam kundër këtij pushteti, sepse nuk pajtohen me ideologjinë time. Unë nuk kam qenë asnjëherë e mendimit që me akt revolucionar të merrej pushteti dhe të arrihej në socializëm. Unë jam biologe dhe si e tillë jam evolucioniste.
Evolucioni është në natyrën e gjërave. Me dhunë nuk shkohet as në socializëm as në demokraci. Me dhunë shkohet vetëm në shkatërrim. Unë vetë nuk kam kryer ndonjë atentat dhe as kam marrë pjesë në ndonjë mbledhje ku është ku është marrë vendimi për akt terrorist”.
Ky qëndrim i saj i vendosur i vulosi vendimin me vdekje. Ajo u pushkatua në mëngjesin e 26 shkurtit në fshatin Menik, 200 m larg lumit Erzen.
Kështu u shua jeta e shkencëtares shqiptare që për nga përmasat mund të krahasohet me shkencëtaret më të famshme botërore.
Por pati një fund tragjik si dhjetëra e mijëra intelektualë që për pikëpamjet e tyre u kryqëzuan në kryqin e egër të komunizmit.