1609 – Galileo Galilei u paraqet teleskopin e tij të parë ligjvënësve venecianë.
Astronomi dhe filozofi italian, Galileo Galilei, u tregoi tregtarëve të Venedikut shpikjen e tij më të fundit dhe një ndër më interesantet: teleskopin. Ky mjet do t‘i sillte Galileos jo vetëm pavdekshmëri në lëmin e shkencës, por edhe shumë shqetësime. Modeli i parë ishte një nga ata që mund të gjendet edhe sot e kësaj dite në dyqanet e posaçme të veglave optike. Ai ishte një gyp i hollë, me gjatësi mesatare, i vendosur në një dykëmbësh druri, duke formuar një kënd 30-gradësh me sipërfaqen e tokës. Fillimisht nuk ishte shumë i fuqishëm, por modelet e mëvonshme të shpikura nga vetë Galileu sollën ndryshime rrënjësore në jetën e njeriut dhe fatkeqësisht i hapën shumë telashe vetë shpikësit.
Galileo bëri zbulime që binin kryekëput në kundërshti me dogmat e kishës në atë kohë dhe për këtë e pati shumë të vështirë ekzistencën. Teleskopët më të mirë ishin ata me tetë thjerrëza dhe të aftë që të depërtonin në thellësi të qiellit e t‘i “grabisnin” atij disa të fshehta që deri më atëherë ai i mbante për vete. Kështu, sipas zbulimeve të bëra nga vetë Galileo me teleskopin e tij, Hëna, ndryshe nga sa mendohej deri në atë kohë, nuk ishte tërësisht e sheshtë. Një tjetër planet, Jupiteri, kishte gjithashtu Hëna që silleshin përqark tij, madje shumë më tepër nga sa mendohej para zbulimit të Galileos. Për sa i përket Venusit, ai ishte një planet që kishte faza si të Hënës. Ky fenomen i fundit ishte parashikuar edhe nga vetë Nikola Koperniku kur, rreth një shekull para zbulimit të Galileut, ai propozoi nocionin e një sistemi planetar, që kishte Diellin në qendrën e tij dhe planetët që i vinin rrotull në orbita të mirëpërcaktuara. Kjo bëri që nga sistemi, i cili mendohej se kishte në qendër Tokën, të kalohej në atë që ka në qendër Diellin dhe rreth tij planetët.
Zbulimet e Galileo Galileit ishin, sikundër mund të merret me mend, jo të mirëpritura nga Kisha Katolike. Mandej, për gjithë zbulimet dhe bindjet e tij, Galileut iu bë jeta shumë e vështirë nga inkuizicioni dhe vitet e fundit të jetës ai i kaloi në arrest shtëpie, në mungesë të lirisë. Para disa kohësh, Vatikani ka kërkuar falje për sjelljen ndaj këtij njeriu mendjendritur që i dhuroi njerëzimit, me koston e vështirësive personale, vizionin e një bote të re, që nuk është e vetmuar në mesin e gjithësisë, por një nga pjesëzat e saj të panumërta. Galilei ishte jo vetëm një fizikan, por edhe filozof.
Ai lindi më 15 shkurt të vitit 1564, në afërsi të Pizës dhe ishte biri i një muzikanti. Nisi të studiojë mjekësi në Universitetin e Pizës, por më pas i la studimet përgjysmë, për t‘iu kushtuar filozofisë dhe matematikës. Në vitin 1589 u bë profesor i Matematikës në Piza dhe më pas shkoi edhe në Padova, ku qëndroi deri në vitin 1610. Gjatë kësaj kohe kreu një sërë eksperimentesh, përfshi ato për shpejtësinë me të cilën bien objekte të ndryshme, eksperimente për mekanikën, apo pingulet. Në vitin 1609, Galileo dëgjoi për shpikjen e teleskopit në Holandë. Pa parë një mjet të tillë me sy, ai ndërtoi një version më të mirë se ai që ishte shpikur në Vendet e Ulëta dhe me të bëri shumë zbulime astronomike. Në vitin 1614 ai u akuzua për herezi, për mbështetjen që i dha teorisë së Kopernikut për sistemin heliocentrik, pra atë që në qendër vinte diellin. Kjo ide ishte shumë revolucionare në një kohë kur kisha vinte Tokën në qendër të gjithësisë. Në vitin 1616 atij iu ndalua nga kisha që të përhapte teori të tilla. Në vitin 1632 u dënua për herezi pas botimit të librit “Dialogë në lidhje me dy sisteme të mëdha të botës”. Më pas u detyrua që publikisht të hiqte dorë nga mbështetja që i dha teorisë së Kopernikut.
1718 – U themelua qyteti New Orleans në Louisiana, SHBA.
1825 – Uruguai shpall pavarësinë nga Brazili.
1900– Vdes në moshën 56-vjeçare Fridih Niçe, duke lënë pas një trashëgimi shkrimesh të shkëlqyera, pasojat dhe ndikimi i të cilave doli në dritë vetëm në shekullin XX. Jeta e tij qe e mbushur me kontraste të thella. Ndonëse gjyshi dhe babai i tij ishin priftërinj luteranë, ai u bë lajmëtari i mendimit se “Zoti ka vdekur”. Ai u edukua në një mjedis të mbisunduar kryesisht nga femra e, megjithatë, mbrojti filozofinë më mashkullore, atë të mbinjeriut.
Fridih Niçe vuri në diskutim pothuajse të gjithë siguritë e epokës së tij: besimi tek Zoti, besimi në progresin e shkencës dhe respektin për vlerat e moralit. E gjithë kjo, thoshte, është një iluzion: bota ecën përpara pa kuptim, në mënyrë kontradiktore dhe irracionale. Vlerat e të mirës dhe të keqes janë një shpikje dhe nuk duhen respektuar. Përkundrazi, njeriut duhet të bëhet protagonist i jetës së tij, duke ushtruar vullnetin e tij të lindur, duke përfshirë dominimin mbi më të dobëtit.
1918– Shërbimi Postar i Shteteve të Bashkuar filloi transportin ajror të postës. Megjithatë, dita e parë e transportit ajror u shndërrua në një ngjarje që i përngjiste më tepër një komedie pa zë se sa një funksioni të rëndësishëm qeveritar. Një pilot i ushtrisë, Togeri George Boyle, u ngrit nga një fushë aviacioni në afërsi të Shtëpisë së Bardhë në Uashington, me një ngarkesë postare prej 63 kilogramësh. Por, pa dashur, ai u drejtua nga jugu në vend që të shkonte në qytetin e New Jorkut. Pas një farë kohe, avionit i mbaroi karburanti dhe ai u detyrua të zbriste në një fermë në Virxhinia. Fermeri nuk kishte karburant, dhe nuk mund ta furnizonte avionin e tij, prandaj piloti u detyrua të shkonte më këmbë në qytetin më të afërt, nga ku i telefonoi qendrës së tij. Një kamion ushtarak u dërgua në fermë për të marrë postën dhe Togerin Boyle. Më pas avioni u furnizua me karburant dhe u kthye në Washington. Togeri Boyle nuk u ngarkua me pilotimin e ndonjë aeroplani tjetër. Atij iu dha detyra të shpinte postën në Filadelfia të shtetit Pensilvania. Një tjetër pilot u ngarkua të dërgonte postën në New York.
1944– Në Luftën e Dytë Botërore, pas më shumë se katër vjetësh, nën okupimin nazist, Parisi çlirohet nga Divizioni i Dytë francez dhe nga Divizioni i Katërt i Këmbësorisë amerikane. Qëndresa e gjermanëve ishte e dobët, dhe Gjeneral Dietrich von Cholititz, komandant i garnizonit gjerman, kundërshtoi një urdhër të Adolf Hitlerit për të hedhur në erë monumentet e kulturës të Parisit dhe djegien e qytetit përpara çlirimit të tij. Choltits firmosi një dorëzim zyrtar, atë mbrëmje, dhe më 26 gusht, Gjenerali i Rezistencës Franceze, Sharl de Gol udhëhoqi marshimin çlirimtar për tek Sheshi Elize.
Parisi u okupua nga Gjermania naziste më 14 qershor të vitit 1940, një muaj pasi Wehrmahti gjerman sulmoi Francën. Tetë ditë më vonë, Franca firmosi një armëpushim me gjermanët dhe u krijua një qeveri kukull franceze me qendër në Vishi. Megjithatë, Gjenerali Sharl de Gol dhe Rezistenca Franceze vazhduan të luftojnë dhe qëndresa e tyre u rrit në Francën e okupuar duke i rezistuar sundimit të nazistëve dhe të Vishisë.
De Gol drejtoi me sukses dy qeveri provizore franceze deri në vitin 1946, kur ai dha dorëheqjen për mosmarrëveshje. Nga viti 1958 deri në vitin 1969, ai shërbeu si President në Republikën e Pestë të Francës.
1981 – Anija kozmike amerikane Voyager 2 bëri afrimin më të madh drejt Saturnit.
1989 – Anija kozmike amerikane Voyager 2 bëri afrimin më të madh drejt Neptunit.
1991 – Bjellorusia shpall pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik.