Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dënoi dhunën e gjobave ndaj biznesve të vogla, me të cilat mbijetojnë shumica e familjeve shqiptare.
Në një takim me strukturat e PD në Belsh, zoti Basha tha se dhuna e tatimorëve ndaj biznesit të vogël bëhet për të financuar grykësinë dhe luksin e Edi Ramës me disa klientë të tij milionerë.
“Rama është sponsorizuesi dhe përfituesi kryesor i informalitetit. Ai kaloi ligjet që favorizojnë klientët dhe oligarkët e tij, ndërkohë që rëndon me taksa, tarifa dhe gjoba sipërmarrjet e vogla dhe të mesme.”
Kreu i opozitës tha se keqtrajtimi i biznesit të vogël ishte një nga arsyet pse njerëzit e braktisën Ramën më 30 qershor, duke e kuptuar se ato votime nuk ishin në interes të qytetarëve, por për të thelluar hajdutërinë, grabitjen dhe babëzinë e Edi Ramës, që janë sot aktiviteti i vetëm politik dhe ekonomik i tij.
“Vetëm këtë javë, nga tenderi korruptiv për uniformat e policisë, 15 milionë euro zhduken në xhepat e Edi Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij. Nga tenderi korruptiv monopolist për sistemin e ri të faturimit të biznesit, që nxjerr jashtë përdorimit kasat fiskale, i shtojnë me ligj një taksë të re deri në 100 euro biznesit. Këtë po e bën një kompani fantazëm, gjoja kroate, por, në fakt është kompania e keshilltarit kroat te Edi Rames dhe paratë do të ndahën me familjarët e kryeministrit.”– u shpreh Basha.
Duke iu referuar edhe ligjeve dhe vendimeve speciale për grabitjen e Teatrit dhe të Kopshtit Botanik për të ndërtuar kulla, Basha u shpreh se politika e vetme e hajdutit psiqik në krye të qeverisë është grabitja për pasurimin e pandalshëm.
“Në qoftëse para 6 vjetësh raporti i OSBE thoshte që ka 200 milionë euro pasuri, akoma pa u ulur në karrigen e kryeministrit, imagjinoni tani! Tani është vërsulur me shpejtësi që t’i bëjë të gjitha këto grabitje të mëdha menjëherë, pasi e ndjen që po afron ora e fundit.”
Kreu i demokratëve përmendi gjetjet e KLSH-së, sipas të cilit qeveria Rama, vetëm vitin e kaluar ka shpërdoruar, abuzuar dhe grabitur 1. 4 mld euro, para të mbledhura nga taksat e qytetarëve, “Grabitja, vjedhja dhe hajdutëria e Edi Ramës është arsyeja pse Shqipëria është sot papunë, është arsyeja se përse gjendja ekonomike është sot më e keqja në dy dekada.”– theksoi lideri i opozitës.
Lulzim Basha shprehu vendosmërinë për t’iu përgjigjur thirrjes për ndryshim që 85 % e shqiptarëve bënë më 30 Qershor.
“Ka vetëm një forcë që ka fuqinë politike, përvojën qeverisëse, vizionin, vendosmërinë e, mbi të gjitha, kredon morale për ta sjellë këtë ndryshim përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme – tha kreu i opozitës.- Ajo forcë është Partia Demokratike e Shqipërisë.”-tha ai.