Steven Gerrard është “kandidati kryesor dhe i vetëm”, që e zëvendëson Jurgen Klopp si trajner të Liverpool.
Kështu mendon ish-portieri i kësaj skuadre, Jerzy Dudek, që luajti 127 ndeshje me këtë skuadër. Trajneri aktual i “Reds” deklaroi kohët e fundit se ka të ngjarë të ketë nevojë për pushim, kur kontrata e tij aktuale në “Anfield” të përfundojë në vitin 2022.
“Kur isha te Liverpool së fundmi, askush nuk e mbante sekret faktin se Steven është kandidati kryesor dhe i vetëm për të zëvendësuar gjermanin, kur të mbyllet epoka e Jurgen në “Anfield”, – shkroi Dudek në një opinion për “Przeglad Sportowy”. –
Të gjithë e dinë që herët a vonë, kapiteni i madh do të kthehet. Jam i befasuar që Steven filloi të punojë si trajner kaq shpejt. Shumica e ish-shokëve të mi të ekipit, ose ish-lojtarët nga e gjithë bota kanë nevojë për kohë, para se të kthehen në futboll në një rol tjetër.
Gerrard ka shumë arsye për sukses. Ai ka nuhatje për t’i pikasur lojtarët e mirë, përballon kushtet e vështira dhe është ende duke mësuar. Ai, gjithashtu, rrethohet nga njerëzit e duhur. Steven mund të mbështetet në ndihmën e Gary McAllister, i cili është ndihmësi i tij dhe në njëfarë mënyre ishte mentori i tij si futbollist, sepse e prezantoi atë te Liverpool. Ata janë një duet i shkëlqyeshëm. Steven, gjithashtu, ka mundësinë të përdorë mençurinë e Jurgen Klopp, e cila me siguri do të jetë shumë e dobishme në karrierën e tij”.