MENU
klinika

"Le monde"

Kadare: Jetova në një vend anormal…

09.08.2019 - 16:33

     Në ballinën e prestigjiozes “Le Monde”, iu kushtua një intervistë prej dy faqesh, shkrimtarit shqiptar, Ismail Kadare. Në rubrikën e sezonit të verës “Shkrimtarë të mëdhenj, biseda të mëdha”, gazetarja Florence Noiville, i ka rezervuar vendin e katërt Kadaresë, në ciklin me pesë intervista. “Të jetoje në diktaturë, për mua do të thoshte të bëje letërsi”.

Gazetarja ka vizituar Shqipërinë në muajin maj, kohë kur ka intervistuar shkrimtarin në shtëpinë e tij, në Tiranë. Në hyrje, ajo flet për ish-apartamentin e tij në Rrugën e Dibrës, i kthyer në shtëpi-muze së fundmi; për vendlinjden Gjirokastrën, për kohën e diktaturës komuniste, si dhe jetën e shkrimtarit sot.

“Portreti i tij nuk figuron ende në kartëmonedhat shqiptare, por ai mishëron i vetëm, kulturën e këtij vendi”, – shkruan Noiville, e cila ka biseduar me shkrimtarin, teksa pinin një kafe turke, që e kishte përgatitur bashkëshortja e tij, Helena.

 

 

 

 

Fragment nga intervista:

 

Si u ndjetë, kur apartamenti juaj në Tiranë, u kthye në shtëpi-muze?

E shoh veten përballë oxhakut. Çuditërisht me ndjenjën se jam një “shkrimtar i lirë”. Gruaja ime Helena, punonte në një shtëpi botuese. Çdo mëngjes, unë rrija vetëm dhe shkruaja. A ka gjë më të mrekullueshme? Disa nga librat e mi ishin të ndaluar, por unë shkruaja pak a shumë, atë që doja. Disa herë e ndjeja që një frazë ishte e mirë. Ndonëse mund të dukej pa logjikë, e ndjeja bukurinë e saj të fshehur. E provoja fizikisht. Për mua, çdo lloj ngushëllimi ka qenë brenda letërsisë dhe në misterin e të qenit i kuptuar, ndonëse vetëm prej pak vetëve.

 

Mendoni, se keni pasur fat?

E njihni ju, proverbin latin “Vivere militare est”? Eh… edhe nëse të jetosh është si të luftosh, duhet të jesh i lumtur nëse nuk je vrarë (qesh). Për mua, të jetosh do të thotë të bësh letërsi. Të mos e bëja dot këtë detyrë, do të ishte njësoj sikur të mos jetoja. Unë arrita ta bëj dhe nuk u ndalova nga asgjë. Pra kam qenë me fat, po! Disa herë më thonë, në Shqipëri: “Ah, sikur të kishe jetuar në një vend të lirë”. Po kush e di? Kush mund ta dijë, nëse gjithçka mund të kish qenë ndryshe?

 

Sot, kur i ktheheni veprës tuaj, për çfarë ndiheni më shumë krenar?

Unë kam shkruar për dhjetëvjecarë të tërë, nën diktaturën më gjakatare të Evropës së pasluftës. Sot, kohë më pas, letërsia ime është e njëjtë, nuk ka ndryshuar. Po të mos e shihni datën në fund të një vepre, nuk e kuptoni kur është shkruar. Më 2017, për shembull, u nominova në Britaninë e Madhe, për çmimin “Man Booker Interntaional” me “Kamarja e turpit”, një tekst i shkruar më 1978 dhe dyzet vite më pas, fatmirësisht, juria gjykoi se leximi i saj është aktual dhe i natyrshëm. Për këtë, jam i lumtur: kam krijuar letërsi normale në një vend anormal./Konica.al

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit