MENU

Dokumentet sekrete

Katastrofë, nëse Britania ikën nga BE pa pakt!

18.08.2019 - 19:53

Dokumente sekrete të qeverisë britanike paralajmërojnë paralizim në gjithë vendin në rast se Britania largohet më 31 tetor nga Bashkimi Evropian pa një marrëveshje.

Dokumentet u publikuan nga gazeta “The Sunday Times” dhe sipas burimeve qeveritare që nuk pranuan të identifikohen, ato janë dhënë shtypit nga një ish-ministër.

Britania pritet të përballet me probleme të mëdha nëse largohet nga Bashkimi Evropian pa një marrëveshje tregtare, thuhet në disa dokumente të publikuar nga gazeta “The Sunday Times”.

Në në rast të tillë vendi do të përballej me ndërprerje të furnizimeve me ilaçe, ushqime e karburant, që mund të zgjasnin deri në gjashtë muaj.

“The Sunday Times” shkruan se “dosja ofron një vështrim të rrallë mbi një plan sekret të qeverisë për të shmangur një kolaps katastrofik në infrastrukturën e vendit”.

Dokumentet ku detajohet ndikimi negativ në vend në rast të një Brexit-i pa marrëveshje, janë nxjerrë nga një ish-ministër në një përpjekje për të ndikuar negociatat e qeverisë me Bashkimin Evropian, tha një burim qeveritar të dielën.

Sipas të njëjtit burim “dokumenti i përket kohës kur ministrat po bllokonin atë që duhej bërë për t’u përgatitur për largimin dhe fondet nuk ishin në dispozicion”, siç tha ai.

Megjithëse skenarët e zymtë, që përshkruhen në dokumentet që kanë rrjedhur prej qeverisë, janë diskutuar prej kohësh nga akademikët dhe ekonomistët, ato janë hedhur poshtë si përhapëse të paniku nga përkrahësit e largimit të Britanisë nga BE-ja.

Kryeministri britanik Boris Johnson ka thënë se vendi do të largohet nga Bashkimi Evropian më 31 tetor pa një marrëveshje edhe nëse nuk do të mundet të rinegociojë marrëveshjen e paraardhëses së tij Theresa May me bllokun.

Megjithatë zyrtarët e kanë paralajmëruar kryeministrin Boris Johnson se dalja pa marrëveshje nga Brexit, do të vendoste në rrezik bashkëpunimin për ndarjen e informacionit që u nevojitet forcave të zbatimit të ligjit si dhe industrinë e shërbimeve financiare.

Dokumentet e publikuara nga “The Sunday Times” citojnë gjithashtu zyrtarët të paralajmërojnë se deri në 85 për qind e kamionëve nuk do të ishin gati për të kaluar doganat franceze në vendkalimin kritik, Kanalin e Lamanshit në 31 tetor, duke shkaktuar radhë që mund të zgjasnin me ditë.

Rreth 75 për qind e të gjithë ilaçeve që vijnë në Britania arrijnë përmes këtij vendkalimi, thuhet në dokumente.

Zyrtarët parashikojnë prekje të “elementëve kritikë” të zinxhirit të furnizimit me ushqime “që do të krijonin mungesa në treg e do të rrisnin çmimin, me pasoja tek grupet më të prekshme”.

“The Sunday Times” nuk e ka shpjeguar se si i mori dokumentet edhe qeveria nga ana tjetër nuk i është përgjigjur kërkesave për komente./ VOA