Ekziston një rregull që mund të quhet “e artë” dhe që i atribuohet atij që mësonte mbretërit. qysh nga mesjeta e deri sot. Makiaveli, thotë se “Ditën e fitores, duhet të armatosësh të mundurit”…
Rregulla duket e vjetëruar ditët e sotme, por kjo është për sistemet që e kanë konsoliduar demokracinë. Rregulla që, sado e përbuzin apo anatemojnë opozitën, e shohin atë me syrin e atij që ikën në akullin e ngrirë. Kur ai dobësohet, mund të biesh edhe ti që ecën, në fund të humnerës ujore.
Duke pasur tërë pushtetet, mund të thuash se Rama e ka të lehtë tani, pas 30 qershorit, të lëshojë deri në pafundësi dhe të adaptojë rregullën e mësipërme, pa ndonjë dëm të madh ndaj vetes, apo të shumicës që përfaqëson. Mundet dhe ndoshta kjo edhe mund të bëhej, por a ka vlerë reale? Pyetja shtrohet, sepse në fund të fundit, çështja veçanërisht për Opozitën, duket lidhet me zhvillimin e Zgjedhjeve të përgjithshme apo bashkë me to edhe lokale.
Po për ata që ngatërrohen në këtë lloj rebusi, duhet t’i përgjigjesh së pari, një pyetje tjetër:
Nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin nesër, ku do t’i gjejë ato 300 mijë vota diferencë që ka PD-ja nga PS-ja?
Diferencë kjo e krijuar nga viti 2009 e deri tani – kohë kjo, kur dy partitë e mëdha kishin të njëtat vota dhe diferencën e bënte LSI-ja. Problemi është i ngatërruar dhe shpjeguar shumë herë, ishin taktikat e PD- së dhe pastaj LSI, që shpunë në diferencën 300 mijë vota midis dy partive të mëdha. E gjitha kjo, të shpie në kthimin e çështjes në pazarin e 2017, apo të krijuar pas çadrës së famshme.
Pa ndonjë analizë të hollë, nisur vetëm nga sjellja e liderit të opozitës së atëhershme, u kuptua veçanërisht dy javët e para, se Rama dhe Basha, kishin vendosur shfryrjen e LSI-së, apo kthimin në shtëpi të votuesve të saj, në shtëpinë e parë. Ndërrimi i strategjisë së PD-së, në fund të fushatës, duket se nuk e zgjidhi problemin dhe e la në përfundimin e theksuar më sipër dhe në pyetjen:
Ku t’i gjejë tani PD-ja, ato 300 mijë vota që e ndajnë nga PS-ja?
Natyrisht që këtë pyetje e shtron edhe Rama, po veçanërisht Basha, që është më i interesuari i çështjes. Asnjë lloj vjedhjeje nga pala kundërshtare, nuk e justifikon këtë lloj diference. E pa u zgjidhur kjo pyetje, duket sikur të gjitha manovrat politike mund të shihen si “Manovra në zunkth”. Zgjidhjet reale të situatave të tilla, do të kalonin o në rrëmuja të mëdha që tentojnë përmbysje me dhunë të fituesit, apo lënien në dorë të tij, të atij që në lojën e “pesë-katëshit” quhet derri maç. Thënë ndryshe, i humburi i lë fituesit gjithçka dhe ai rrokulliset në humnerë nga pesha e pushtetit të stërmadh.
Duket e vështirë të zgjidhet, si rebus. Po një mundësi dhe model justifikimi, për Bashën. Ai mund t’u mbushë mendjen ithtarëve të tij, se mosvajtja në zgjedhje, është më e zgjuara nga gjithë taktikat për të mbushur vakumin e 300 mijë votave. Referuar eksperiencës historike të 30 viteve të fundit, duket se ideja ka vlerë. Ekonomia e keqe dhe pushteti i tepërt, që në këto raste shton korrupsionin, e favorizojnë këtë ide të humbësit…
Po siç thotë një shprehje që i atribuohet vendeve të natyrës si e jona, zgjidhjet mbulohen shpesh me misterin për të cilën, ekziston shprehja “Lindja është çështje e hollë”…
Ngjarjet e ditëve të fundit, duket se të japin të besosh se varianti i derrit maç po zhvillohet jo sipas arsyetimit të mësipërm, por në një linjë tjetër. Sot ishte dita e fundit e regjistrimit në zgjedhjet e 13 tetorit, të propozuara nga Presidenti Meta. Çuditërisht, thirrjes së tij iu përgjigj vetëm LSI dhe PR, një aleat që, sido që të sillet, prej 30 vjetësh nuk e braktis kurrë PD-në. Kështu që asaj i lejohet çdo manovër…
Vetë PD nuk u regjistrua, por kërcënoi KQZ-në që të zbatonte zgjdhjen e Presidentit…
Ç’do të thotë kjo?
Moszhvillimi i zgjedhjeve në 13 tetor, vë në vështirësi kolosale Presidentin. Çfarë do të bëjë ai, pas kësaj? Ky është thelbi i asaj që quhet të lënit në dorë të “derrit maç”.
Presidenti ngelet keq dhe nuk është e vështirë të kuptohet, se pas tij, ajo që e pëson është dhe partia që ai ka themeluar, dmth LSI-ja.
E gjithë kjo e shpie lojën prapë në pazaret e vjetra të 2017-ës, mund të thotë njeri. Situata është e vështirë të analizohet, po në fund të fundit, referuar lojës me letra, fillohet lojë e re dhe ai që duhet të paguajë kafenë e humbësit, e paguan atë.
Vetë, si njeri që ka qejf shahun dhe që nuk i ka qejf lojërat me letra, do të kisha preferuar Makiavelin. Arsyeja e kësaj zgjedhjeje është e lidhur, së pari me një nevojë konkrete… asaj të vendimit të Europës për Negociatat, në 18 tetor. Po ashtu, po brenda logjikës së Makiavelit, e përfytyroj Opozitën si një akull që po u dobësua shumë, shpie edhe fituesin në greminë…
Situata e deritanishme tregon se, në vend të Makiavelit po luajnë “derrin maç”. Nuk e di pse e zgjedhin. Ndoshta, nuk para i kanë qejf librat dhe Makiaveli u duket histroi e largët, kurse lojën me “derrin maç” e përdorin thuajse përditë…
Një Zot e di se ku po vemi… “Paçin Fatnë e tyre” – thotë një shprehje e vjetër!