Nëse keni ndërmend të merni një shtëpi me qira atëherë do të duhet të paguani 20 % më shumë para për të njëjtën banesë në krahasim me një vit më parë.
Konsulentët imobiliarë shpjegojnë se kryeqyteti ka kërkesë dhe kjo ka ndikuar në rritjen e çmimeve. Pavarësisht se kostot e jetesës janë rritur, niveli i pagave në vend ka mbetur i njëjtë prej disa vitesh.
Albenc Sila: Tregu i qirave gjithmonë ka qenë në rritje, sidomos këto vitet e fundit që bëhet fjalë nga 500 euro e poshtë, ato mund të kenë pasur një rritje rreth 20%. Kurse apartamentet mbi 500 euro, mund të kenë pasur një rritje me 10%. Por gjithmonë ka rritje. Tirana është kryeqendra, ka njerëz që duan të punojnë, janë shtuar të huajt që vijnë me biznese. Tani gjatë verës ka turistë që përdorin apartamente ditore.
Ndërkohë çmimet e shitjes së aparatamenteve kanë qenë më stabël pavarësisht ndërtimeve të shumta sidomos në kryeqytet.
Albenc Sila: Akoma nuk i dihet se si do shkojë. Mendoj se është një bum ndërtimesh, nuk mendoj se do ketë treg për ti blerë. Shumë ndërtohen me klering. Asnjë nuk e di se cfarë do të ndodhë në të ardhmen.
Për disa vite me rradhë emigrantët kanë pasur shumë impakt në blerjen e apartamenteve sidomos gjatë verës por mesa duket ky trend është zbehur.
Albenc Sila: Ka 10 vjet që kjo gjë ka rënë. Para 10 vjetësh ka patur interes shumë të madh. Pastaj filloi kriza në Europë, në Greqi, në botë, emigrantët vinin të shisnin apartamentet që kishin blerë këtu.
Ekspertët shpjegojnë se pamundësia ekonomike ka bërë që familjet, të rinjtë dhe studentët të shtojnë kërkesat për apartamente me qira.
Madje kohët e fundit konstatohet se më të kërkuarat janë hyrjet e vogla që kushtojnë më pak.