Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, tha se një person nga Kosova është ekstraduar në Shteteve e Bashkuara, duke shënuar kësisoj edhe rastin e parë të zbatimit të marrëveshjes për ekstradim të nënshkruar ndërmjet të dyja vendeve.
Në një postim në rrjetet sociale ai shkroi se “në qershor Shtetet e Bashkuara dhe Kosova përmbyllen marrëveshjen e Ekstradimit. Sot ne e jetësuam atë për herë të parë për të kthyer një të arratisur nga Kosova për gjykim në Shtetet e Bashkuara. Kur e shndërrojmë sundimin e ligjit një përparësi të përbashkët, kriminelët përballen me drejtësinë dhe të dyja shtetet janë më të sigurta”, shkroi ai, por pa dhënë ndonjë hollësi për kë bëhet fjalë.
Zëri i Amerikës mëson se i ekstraduari është Ymer Shahini, i cili ndodhej në arrati deri në qershor të këtij viti kur ishte arrestuar nga policia e Kosovës dhe po kërkohej nga drejtësia amerikane nën dyshimin për përfshirje në një skemë mashtrimesh me letra me vlerë.
Sipas departamentit amerikan të Drejtësisë, nga viti 2009 deri në vtin 2011, Jason Galanis, së bashku me bashkëpunëtorët tjerë, John Galanis, Gary Hirst, Derek Galanis, Ymer Shahini, dhe Gavin Hamels, u përfshinë në një skemë për të mashtruar aksionarët e Gerova Financial Group, duke realizuar transaksione të letrave me vlerë në këtë kompani.
Në shkurt të vitit 2017, Jason Galanis është dënuar me mbi 11 vjet heqje lirie.
Në mars të vitit 2016, Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kishin nënshkruar marrëveshjen për ekstradim, që sipas zyrtarëve kishte për qëllim, përveç forcimit të partneritetit dhe përcaktimit për rend dhe ligj, të garantojë po ashtu se kriminelët që paraqesin rrezik për rendin dhe sigurinë e qytetarëve e të dyja vendeve, do të ndiqen dhe do të vihen para drejtësisë.
Marrëveshje ishte cilësuar historike pasi që e zëvendësonte atë ndërmjet qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe mbretërisë së Serbisë, të nënshkruar në vitin 1901.
Në qershor të këtij viti, zëvendës ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, dhe ministri i Drejtësisë në qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri, nënshkruan protokollin e instrumenteve të “ratifikimit të marrëveshjes së ekstradimit në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.