MENU

Analizat e BSH-së

Kredia konsumatore arrin vlerën e 400 milionë eurove

25.08.2019 - 20:57

Kredia konsumatore po rritet me ritme të kënaqshme për këtë vit.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të 6-mujorit, portofoli i kredisë konsumatore arriti vlerën e 48.4 miliardë lekëve ose afërsisht 400 milionë eurove. Krahasuar me një vit më parë, kredia konsumatore është zgjeruar me rreth 5.5%.

Rritja më e lartë ka ardhur në segmentin e kredisë së mirëfilltë konsumatore, të akorduar për blerjen e mallrave jo të qëndrueshëm.

Në mesin e këtij viti, portofoli i kredisë bankare në lekë për këtë qëllim arriti në 30.3 miliardë lekë, me një rritje prej 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kredia për qëllime të mirëfillta konsumi përbën rreth 63% të totalit të kredisë konsumatore për individët. Pjesa tjetër konsiston në kredi për mallra të qëndrueshëm, që nënkupton huanë që zakonisht jepet për investime të familjeve në pajisje elektronike, elektroshtëpiake, mobilie apo automjete.

Ky segment i kredisë konsumatore ka vlerën e 18 miliardë lekëve ose rreth 37% të totalit.

Analizat e Bankës së Shqipërisë vendosin përtëritjen e konsumit të sektorit privat, si faktori më përcaktues në zgjerimin e prodhimit kombëtar këtë vit.

Norma e rritjes vjetore të konsumit në tremujorin e parë 2019 ishte 2.25%.

Rritja e kredisë konsumatore ka qenë një nga faktorët që ka mbështetur zgjerimin e konsumit, veç përmirësimit të tregut të punës dhe treguesve të besimit në ekonomi.