MENU
klinika

Në afat të gjatë

Luhatjet e energjisë, BSH: Ja pse nuk ndikon në ekonomi!

26.08.2019 - 18:19

Luhatjet në prodhimin e energjisë elektrike kanë shpesh një ndikim të konsiderueshëm në nivelin e rritjes ekonomike.

Statistikat tregojnë se ky ndikim vlerësohet të ketë qenë i rëndësishëm gjatë viteve të fundit.

Kontributi i prodhimit të energjisë elektrike ishte negativ në vitin 2017, pozitiv në vitin 2018, dhe është kthyer përsëri në negativ gjatë këtij viti. Për shkak të përqendrimit të theksuar në burime hidrike, prodhimi është tepër i ndjeshëm ndaj kushteve atmosferike dhe karakterizohet nga luhatje të forta nga një periudhë në tjetrën.

Në analizat e Bankës së Shqipërisë, mbështetur në të dhënat e Instat, dega ku bën pjesë energjia elektrike vlerësohet të ketë dhënë një kontribut negativ prej 1.1 pikësh përqindjeje në vitin 2017.

Kushtet e përshtatshme atmosferike të vitit 2018, përmbysën kontributin e degës, duke e çuar atë në pozitiv me 0.9 pikë përqindje.

Në tremujorin e parë të këtij viti, vlera e shtuar e degës përkatëse shënoi një rënie vjetore prej afro 44%, duke dhënë një kontribut negativ prej 1.6 pikë përqindjeje në rritjen ekonomike.

Por, pavarësisht luhatjeve, Banka e Shqipërisë vlerëson dega e energjisë elektrike nuk mbart ndikime të qenësishme në tendencën afatmesme dhe afatgjatë të rritjes së ekonomisë shqiptare.

Normat mesatare të rritjes rezultojnë ekonomike në vite rezultojnë të përafërta, duke konfirmuar që goditjet nga kjo degë shfaqen dhe shuhen, duke mos ndryshuar tendencën.

Arsyeja për këtë qëndron në faktin se luhatjet e prodhimit të energjisë elektrike kompensohen nga energjia e importuar, pa ndikuar konsumin total të energjisë dhe, në veçanti, pa gjeneruar mungesa për sektorët e tjerë të ekonomisë, mungesa që do të reduktonin prodhimin e tyre apo do të rritnin kostot e operimit.

Po ashtu, çmimi i rregulluar për konsumin e energjisë elektrike bën që luhatjet e prodhimit, apo të kostove në tregun ndërkombëtar, të kenë ndikim pothuaj të papërfillshëm në kostot e prodhimit të ekonomisë shqiptare.

Në këto kushte, vlerësohet se, me gjithë goditjet që jep në rritjen ekonomike, ndikimi i energjisë mbetet përgjithësisht i izoluar dhe i përkohshëm.

Këto luhatje nuk gjenerojnë presione për rritje kostosh dhe rënie të prodhimit, punësimit dhe pagave në sektorët e tjerë.