Ishte gushti i 2008-ës kur Barcelona humbte për herë të fundit ndeshjen hapëse të kampionatit, në një takim përballë Numancias, ndërsa 11 vite më vonë katalanët bien sërish, këtë herë në transfertën përballë Athletic Bilbaos, ku u mposhtën me rezultatin minimal 1-0.
Kampionati spanjoll ngriti siparin mbrëmjen e sotme me sfidën mes baskëve dhe katalanëve kampionë në fuqi, që treguan se janë ende larg formës së sezonit të kaluar dhe kanë ende punë për të bërë, nëse duan të mbrojnë titullin e fituar në maj.
Pa Lionel Messin dhe me disa prej titulalrëve të vitit të kaluar në stol, Valverde kishte zgjedhur të aktivizonte nga minuta e parë blerjet e bujshme verore si Griezmann dhe De Jong, që gjithsesi nuk arritën të bëjnë diferencën dhe të udhëheqin skuadrën drejt suksesit.
Bilbao befasoi Barçën që në minutat e para, duke bërë presing lart dhe duke krijuar një sërë rastesh shënimi, por fati dhe Ter Stegen mbajtën rrjetën të paprekur për shumë minuta. Nga ana tjetër katalanët u zgjuan shumë vonë dhe kërcënimin e parë e dhanë në minutën e 37’, kur Suarez goditi shtyllën ndërsa më pas u largua i dëmtuar për t’i lënë vendin Rafinhës.
Braziliani shtoi fantazinë dhe vetëm 3 minuta pasi hyri në fushë, kërcënoi portën vendase me një predhë spektakolare, që u grushtua nga portieri bask dhe më pas u përplas në traversë, duke bërë që pjesa e parë të mbyllej në barazim pa gola.
Pjesa e dytë pati më pak ritëm, me Bilbaon që ndërroi strategji dhe kaloi në pritje, duke kundërsulmuar me shpejtësi sa herë që rikuperonte topin, ndërsa në nëj zbritje të tillë, në minutën e 89’, sulmuesi veteran Aritz Aduriz shënoi një gol spektakolar, pas një krosimi nga krahu.
Avantazhi i vendasve ngriti në peshë publikun në stadiumin “San Mames” të Bilbaos, ndërsa 3 minutat shtesë nuk sollën asgjë për t’u shënuar dhe Barcelona u detyrua të dalë “kokulur” nga transferta baske.