MENU
klinika

Washington Post

“Entuziazëm për një Brexit pa marrëveshje”

13.08.2019 - 19:01

Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare John Bolton tha të hënën në Londër se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin me entuziazëm një Brexit pa marrëveshje nëse qeveria britanike vendos ta bëjë këtë.

Vizita e zotit Bolton synon t’i japë Britanisë garanci mbi lidhjet me Shtetet e Bashkuara. Zoti Bolton i tha Kryeministrit britanik Boris Johnson se Presidenti Donald Trump dëshiron të shohë një dalje të suksesshme të Britanisë nga Bashkimi Evropian më 31 tetor dhe se Uashingtoni do të jetë i gatshëm të punojë me shpejtësi për një marrëveshje të tregtisë së lirë me Londrën. Kryeministri Johnson dëshiron që BE-ja të rinegociojë kushtet e daljes së Britanisë përpara 31 tetorit, por BE-ja thotë se nuk do ta modifikojë pjesën e marrëveshjes që zoti Johnson thotë se duhet të ndryshohet patjetër.

Gjendja e tanishme e lë Britaninë të largohet nga Bashkimi Evropian pa ndonjë periudhë zyrtare tranzicionit ose marrëveshje ligjore që mbulon çështje të tilla si tregtia, transferimi i të dhënave dhe politika kufitare.

“Nëse ky është vendimi i qeverisë britanike, ne do ta mbështesim atë me entuziazëm, dhe këtë po përpiqem të përcjell. Ne jemi me ju, jemi me ju,” u tha zoti Bolton gazetarëve pas ditës së tij të parë të takimeve.

Zoti Bolton, i cili ndodhet në Londër për dy ditë bisedime me zyrtarët britanikë, po kërkon përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve me Kryeministrin Boris Johnson pas tensioneve të herë pas hershme me ish kryeministren Theresa May.

Ndërsa Mbretëria e Bashkuar përgatitet të largohet nga Bashkimi Evropian më 31 tetor, ndryshimi i saj më i madh gjeopolitik që nga Lufta e Dytë Botërore, shumë diplomatë presin që Londra të bëhet gjithnjë e më e varur nga Shtetet e Bashkuara.

Një mesazh kryesor që po përcjell zoti Bolton është se Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë në zbutjen e daljes së Britanisë nga BE-ja me një marrëveshje të tregtisë së lirë për të cilën po negociohet nga përfaqësuesi amerikan i tregtisë Robert Lighthizer dhe homologja e tij britanike, Liz Truss.