Nuk ndalet Meghan Markle. Pas lajmi se dukesha e Sussex do të jetë redaktore nderi për numrin e shtatorit të revistës Vogue, vjen edhe një tjetër risi.
Meghan, që është angazhuar në vitin e fundit për të ndihmuar gratë në vështirësi, ka kuptuar se nevojitet edhe një linjë veshjesh që i përshtatet kërkesave të tyre. U tha dhe u bë. Bashkëshortja e Harry-t, do të krijojë një koleksion, për bamirësi.
Një postim në faqen e internetit të dukëve të Sussex-it, bën të ditur që gjatë punës së saj me “smart works”, që ndihmon gratë në nevojë, Markle ka vënë re donacione të mëdha në veshje, por ka ndeshur një vështirësi në kombinimin e numrave, zgjedhjeve të stilit, ngjyrave etj.
I nevojitej diçka që gratë në nevojë ti bënte të ndjeheshin të sigurta në vetvete dhe ti motivonte edhe në caste vendimtare. Nga këtu i lindi ideja të krijonte një linjë të sajën që do të realizohet në vjeshtë.
Katër marka kanë vendosur ta mbështesin dhe kështu, dukesha do të sigurojë një koleksion me veshje të jashtëzakonshme, për një grua që do të rikthehet në tregun e punës pas kapërcimit të vështirësive. Skema e zgjedhur do të jetë ajo një për një; për çdo veshje të blerë nga një klient, një tjetër do ti dhurohet “smart works”.