MENU
klinika

Intervista

Meta akuza të forta Kuvendit: Po bën ligje për persona të veçantë

18.08.2019 - 22:21

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i ftuar në emisionin “Kojshia Show” në RTV21 ka bërë akuza mjaft të forta në adresë të Kuvendit të Shqipërisë.

Sipas Kreut të Shtetit: “Parlamenti përdoret thjesht për të mbuluar paligjshmërinë e akteve të qeverisë. Pra, bëhen ligje për persona të veçantë në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim me detyrimet që Shqipëria ka nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me BE-në, në kundërshtim me konkurrencën, në kundërshtim me parimet e mosdiskriminimit, që është një parim kushtetues e kështu me radhë”, – është shprehur Meta.

  • PJESË NGA INTERVISTA

Gazetari: Mos ndoshta situata politike në Shqipëri është ekuacion me dy të panjohura dhe zgjedhjet janë vetëm e panjohura e parë? E panjohura e dytë faktikisht nuk dihet. Kush është fajtori tjetër?

Presidenti Meta: Situata në Shqipëri është pasojë e një krize artificiale, ku pa asnjë diskutim përgjegjësinë kryesore e ka Kryeministri aktual me politikën e tij të qartë për të kontrolluar gjithë pushtetet në vend dhe për të asgjësuar demokracinë, dialogun politik, të drejtat e opozitës dhe të pakicave, lirinë e medias, pavarësinë e gjithë institucioneve të tjera, për të kapur edhe sistemin e ri të drejtësisë për fat të keq.

Njëkohësisht nuk mund të mbetet pa përgjegjësi edhe opozita, që në vlerësimin tim ka ndjekur një strategji të gabuar, atë të djegies së mandateve, të mosmarrjes pjesë në zgjedhjet vendore, pra të mosregjistrimit në kohë, por edhe të delegjitimimit të çdo institucioni, ndërkohë që mund të kishte ndjekur një politikë tjetër.

Atë të paraqitjes së një alternative që mund të ndihmonte në parandalimin e kësaj drame institucionale dhe demokracie që ne sot kemi në vend, ku praktikisht sistemi i llogaridhënies është asgjësuar si në nivel qendror, në parlament, si në nivel vendor.

Për fat të keq, Shqipëria po përjeton një rrëmujëhane institucionale.

Gazetari: Si arrihet ekuilibri në politikë në Shqipëri, zoti President? Ju jeni edhe ekonomist në profesion, në ekonomi arrihet ekuilibri kur kërkesa i afrohet ofertës…

Presidenti Meta: Situata në Shqipëri është rezultat i përjashtimit të qytetarëve nga mundësia për të ndikuar dhe për të thënë fjalën e tyre në qeverisjen e vendit, si në nivel qendror, si në nivel vendor.

Rrënjët e kësaj krize që ka ndodhur apo që ka kulmuar kohët e fundit në Shqipëri, gjenden në ndryshimet e befasishme të Kushtetutës së Shqipërisë në vitin 2008, kur u ndryshua dhe sistemi zgjedhor dhe u vendos sistemi me listat e mbyllura, që praktikisht e ktheu vendin nga një Republikë parlamentare, në një Republikë kryetarësh, si dhe asgjësoi lidhjen e deputetëve me qytetarët dhe mundësinë e qytetarëve për të zgjedhur apo për të përkrahur atë deputet, te të cilët ata kishin besim që do të mbronin të drejtat e tyre.

Praktikisht gjatë këtyre 11 vjetëve demokracia në Shqipëri ka ardhur duke degraduar dhe kjo është vënë re te parlamenti, te të gjithë institucionet e tjera dhe mbi të gjitha te mënyra se si realizohet vendimmarrja e qeverisë dhe së fundi se si parlamenti përdoret thjesht për të mbuluar paligjshmërinë e akteve të qeverisë.

Pra, bëhen ligje për persona të veçantë në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim me detyrimet që Shqipëria ka nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me BE-në, në kundërshtim me konkurrencën, në kundërshtim me parimet e mosdiskriminimit, që është një parim kushtetues e kështu me radhë.

Gazetari: Po mendoja teksa ju flisnit, inshallah nuk flisni keq për opozitën, se përndryshe nuk keni vend në shtëpi…

Presidenti Meta: Opozita ka përgjegjësi shumë të mëdha, sepse në radhë të parë opozita nuk është vetëm tërësia e partive që nuk ndodhen në pushtet.

Opozita në një demokraci është institucioni më i rëndësishëm demokratik që ka një vend, sepse është aspirata e qytetarëve për një qeverisje më të mirë nesër.

Opozita është ajo forcë që nuk garanton vetëm të drejtat e atyre që votojnë për opozitën, por garanton përmes rolit të saj në Kuvend, në pushtet vendor, në të gjitha institucionet e tjera, edhe të drejtat e atyre që kanë votuar për shumicën.

Në kushtet kur opozita largohet nga parlamenti, në kushtet kur opozita nuk merr pjesë në zgjedhjet vendore dhe e lë fushën bosh, lë pa mbrojtje të gjithë qytetarët e Shqipërisë nga abuzivizmi i atyre që drejtojnë dhe të cilët duhet të jenë edhe nën kontrollin institucional të opozitës për interesat e qytetarëve.