Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të humanistit dhe Kryetarit të Nderit të Lidhjes Shqiptare në Botë, Mikel Kuzhninit.
Meta tha se Kuzhnini do mbahet mend për kontributin për bashkimin shpirtëror të shqiptarëve dhe veçanërisht për angazhimin energjik e të pandalshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“I trishtë lajmi për ndarjen nga jeta të Mikel Kuzhninit, Kryetarit të Nderit të Lidhjes Shqiptare në Botë, humanistit, patriotit të madh e veprimtarit të palodhur për çështjen shqiptare.
Nderi i Kombit, Mikel Kuzhnini me vokacionin e tij të rrallë atdhetar do të mbahet mend për kontributin e spikatur për bashkimin shpirtëror të shqiptarëve kudo ku ata jetojnë, faktorizimin dhe promovimin e vlerave tona kombëtare, dhe veçanërisht për angazhimin energjik e të pandalshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Ngushëllime familjes Kuzhnini, vëllait të tij Simon, bashkëveprimtarëve, miqve e dashamirësve të tij kudo në botë.
I paharruar kujtimi i Mikel Kuzhninit!,”-shkroi Meta në një postim në Facebook.
Kuzhnini u nda sot nga jeta. Lajmi u bë i ditur në faqen zyrtare të Facebook të Lidhjes Shqiptare në Botë.