Presidenti i Republikës, Ilir Meta, dekretoi sot kthimin për rishqyrtim në Kuvend të koncensionit “Milot-Balldren”.
Kreu i Shtetit ka sqaruar me argumente arsyet e kthimit të këtij ligji, ndërsa ka kritikuar dhe Kuvendin, që sipas tij, nuk mund të mbulojë paligjshmërinë e qeverisë.
“Qëllimi i miratimit me ligj të kësaj kontrate është vetëm mbulimi i paligjshmërisë së bërë nga autoriteti kontraktor dhe qeveria shqiptare, me qëllim mosevidentimin e përgjegjësisë në këtë proces dhe mbulimin e çdo paligjshmërie nëpërmjet ligjit”, shprehet Meta.
Gjithashtu Presidenti ve në dukje se: “Në kundërshtim me këto kërkesa të institucioneve financiare, Këshilli i Ministrave ka nënshkruar dhe Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar këtë kontratë koncesionare, që pretendohet të miratohet me ligjin nr. 52/2019 në kushte kaq të rënda paligjshmërie dhe në dëm të interesave të qytetarëve”.
Ndërkohë duke renditur arsyet e tjera ligjore që i kanë krijuar bindjen për të rikthyer për rishqyrtim në Kuvend këtë koncension të dyshimtë korruptiv, Meta thekson se:
Ligji nr. 52/2019 dhe Kontrata Koncesionare bashkëlidhur janë propozuar, hartuar, nënshkruar dhe miratuar në kundërshtim me parimin e shtetit të së drejtës;
– Ky ligj miraton një Kontratë Koncesionare ku vullneti i Qeverisë Shqiptare në këtë proces është formuar në kundërshtim të hapur me interesin publik dhe në shkelje të parimit të konkurrencës së lirë dhe të barazisë përpara ligjit;
– Kontrata e lidhur mes autoritetit kontraktor dhe operatorit ekonomik është formalizuar përgjatë një procesi aspak transparent ndaj publikut dhe pa një bazë ligjore për negocimin e çmimit të saj;
– Mungesa e një vlerësimi të qartë ekonomik krijon rrezik për cenim të financave të shtetit;
– Nuk rezulton të ketë një studim fizibilteti të plotë dhe objektiv të hartuar dhe të miratuar nga institucionet shtetërore përgjegjëse të ngarkuara me ligj me këtë detyrë;
– Nuk është dhënë miratimi i këtij projekti nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, konform kërkesave të aktit që rregullon këtë proces;
– Rriskon seriozisht buxhetin e shtetit, pasi nuk ka një përllogaritje të saktë të efekteve të saj në ekonominë e vendit;
– Qëllimi i miratimit me ligj të kësaj kontrate është vetëm mbulimi i paligjshmërisë së bërë nga autoriteti kontraktor dhe qeveria shqiptare, me qëllim mosevidentimin e përgjegjësisë në këtë proces dhe mbulimin e çdo paligjshmërie nëpërmjet ligjit.
Presidenti i Republikës gjen me vend të evidentojë se institucionet financiare ndërkombëtare kanë kërkuar nga qeveria shqiptare, në mënyrë eksplicite, eliminimin në mënyrë të menjëhershme të ofertave të pakërkuara, si oferta me një kosto të rëndë në ekonominë e vendit.
Në kundërshtim me këto kërkesa të institucioneve financiare, Këshilli i Ministrave ka nënshkruar dhe Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar këtë kontratë koncesionare, që pretendohet të miratohet me ligjin nr. 52/2019 në kushte kaq të rënda paligjshmërie dhe në dëm të interesave të qytetarëve.