MENU
klinika

Konferenca në Moskë

Ministria e Drejtësisë prezanton reformat para 60 shteteve!

05.08.2019 - 20:20

Ministria e Drejtësisë ka marrë pjesë në konferencën e dhjetë ndërkombëtare në Moskë, ku marri pjesë delegacionet e 60 shteteve, për ekzekutimin e detyrueshëm të vendimeve gjyqësore.

Në këtë konferencë, përfaqësuese  ishte zv.ministrja Fjoralba Caka, e cila bëri një prezantim të hollësishëm mbi reformat e ndërmarrë për rritjen e performancës në sistemin e Shërbimit Përmbarimor.

Pjesë e delegacionit shqiptar ishte edhe Drejtori i Shërbimit Përmbarimor Shtetëror, z. Piro Lutaj si dhe e ngarkuara me punë e ambasadës shqiptare në Federatën Ruse, znj. Jonida Drogu e cila veç të tjerash u mor me pritjen dhe shoqërimin në aktivitetet zyrtare.

Mes 60 vendeve pjesëmarrëse, në konferencë u përfaqësuan edhe shtete si Gjermania, Franca, Spanja, Finlanda, Letonia, Estonia, Belgjika, Rumania, Italia, Mali i Zi, Serbia, Maqedoninë e Veriut, Republika Çeke, etj.

Pasi foli rreth organizimit të sistemit përmbarimor shtetëror, Caka u ndal edhe te risitë që sjell ligji 26/2019 për shërbimin përmbarimor privat.

“Ndryshimet ligjore të vitit 2019 sjellin risi në lidhje me sistemin e përmbarimit privat dhe i përgjigjen disa nevojave thelbësore për zhvillimin e këtij shërbimi. Së pari, ndryshimet ligjore krijojnë për herë të parë një Qendër Kombëtare të Trajnimit të Përmbaruesve. Siç theksohet në dokumentet e partneritetit BE-Shqipëri dhe raportet e progresit të Komisionit Evropian, si edhe në Strategjinë Sektoriale të Drejtësisë , problemet kryesore me përmbaruesit kanë të bëjnë me kapacitetet institucionale dhe profesionale. Fatkeqësisht, shërbimi përmbarimor nuk tërheq gjithmonë juristët më të shkëlqyer. Ndaj ne po synojmë të tërheqim juristë të mirë dhe profesionistë në shërbimin përmbarimor dhe të shmangim mungesën e aftësive në këtë sektor të rëndësishëm. Trajnimi i përmbaruesve është thelbësor për efikasitetin e shërbimit”, -tha Caka.

Më pas pjesëmarrësit ndanë sfidat dhe praktikat më të mira në funksion të rritjes së cilësisë së mëtejshme për të avancuar zbatimin e gjykimeve, si shërbim kryesor ndaj drejtësisë.

Në fjalën e saj të gjatë, gjithashtu zv.ministrja theksoi se “Ministria e Drejtësisë tashmë luan një rol vendimtar në mbikëqyrjen dhe kontrollin e veprimtarisë së përmbaruesve privatë. Ministria, me iniciativën e vet ose kërkesën e një pale private, ka të drejtë të kontrollojë shërbimet përmbarimore private dhe të marrë masat e nevojshme për të disiplinuar shkeljen e ligjit. Për më tepër, për herë të parë është siguruar miratimi i një Kodi Etik për përmbaruesit privatë. Për të forcuar rëndësinë e standardeve etike në ushtrimin e profesionit, parashikohet që shkelja e rregullave etike do të konsiderohet shkelje disiplinore. Përmbaruesit privatë dhe zyrat e tyre kanë fituar për herë të parë të drejtën për shërbime dytësore, sikurse është e drejta për të njoftuar aktet gjyqësore dhe dokumentet zyrtare, kryerjen e një detyrimi financiar me kërkesë të palës në fjalë, kryerjen e shitjes së sendeve në ankand publik etj. Vektori i ndryshimeve legjislative do të shtrihet shumë shpejt edhe në shërbimin e përmbarimit shtetëror. Qeveria po planifikon të bëjë ndryshime në ligjin e shërbimit shtetëror, duke harmonizuar dhe sjellë shërbimin e përmbarimit publik dhe privat nën të njëjtën ombrellë parimesh dhe procedurash”, -u shpreh ajo.

Kjo e fundit, u ndal edhe te zëvendësimi i sistemeve manuale me ato elektronike, duke shpjeguar se si mundësohet mbledhja e të dhënave për aktivitetet e kryera, dhe nxitet ndërveprimi i institucioneve të ndryshme shtetërore me njëri-tjetrin përmes shkëmbimit të informacionit.

“Qeveria shqiptare ka investuar në teknologjinë e informacionit edhe në shërbimin përmbarimor, si atë publik edhe atë privat. Si rezultat i këtij investimi, Sistemi i Menaxhimit të Përmbarimit Elektronik (ALBIS) i krijuar rishtazi është ideuar për të siguruar shpejtësi, cilësi dhe efikasitet në performancën e shërbimit përmbarimor. ALBIS është një sistem elektronik i centralizuar që lejon personelin përmbarimor publik dhe privat në çdo kohë të kryejë aktivitetin e tij.

Nga pikëpamja administrative, zbatimi i këtij sistemi do të çojë në gjenerimin on-line të statistikave. Të dhënat e gjeneruara nga ky sistem do t’i shërbejnë politikë-bërjes, menaxhimit të mirë dhe kryerjes së analizave të mirë studiuara për ndërhyrjet që do të bëhen në sistemin e përmbarimit publik dhe privat në të ardhmen. Në kontekstin e konsolidimit të sistemit të përmbarimit në Shqipëri, theksojmë që përmirësimi i ligjit për shërbimin përmbarimor pasqyron vizionin dhe përpjekjet tona për të garantuar kuadrin ligjor për zbatimin e duhur të vendimit të gjykatave, mbështetje për zhvillimin profesional të përmbaruesve si dhe kontribut në rritjen e integritetit profesional dhe moral të përmbaruesve”, -tha ndër të tjera Fjoralba Caka

Në përfundim të fjalës së saj, zv.ministrja siguroi se e gjithë kjo iniciativë e ndërmarrë do të ndihmojë në rikthimin e besimit të publikut në shërbimin përmbarimor, i cili shërben veç të tjerash si hallka e fundit në zinxhirin e gjatë të dhënies së drejtësisë. Në këtë pikë, ajo kujtoi edhe frazën e vjetër latine “ubi ius ibi remedium” – aty ku ka një të drejtë, duhet të ketë edhe një mjet juridik për realizimin e saj.

“Sikundër ka dalë qartë gjatë kësaj konference, sfidat e shërbimit përmbarimor janë të ndryshme në vende të ndryshme. Disa vende janë duke luftuar me hartimin e shërbimeve efikase dhe mbledhjen siç duhet të të gjitha borxheve, disa vende përpiqen të zgjidhin ekuilibrin e duhur midis sistemit përmbarimor privat dhe publik, ndërsa për vende të tjera sfidat janë si mund të shtrihet sistemi i përmbarimit edhe për pasuritë digitale apo industrinë e blockchain-it.

Sidoqoftë, përkundër dallimeve, ajo që është e përbashkët në të gjitha sistemet e përmbarimit është qëllimi i cili gjendet në frazën e vjetër latine “ubi ius ibi remedium” – aty ku ka një të drejtë, duhet të ketë edhe një mjet juridik për realizimin e saj. Në të vërtetë, ekzekutimi i vendimeve gjyqësore në mënyrë profesionale dhe në kohën e duhur, shoqëruar nga qëndrimi i përgjegjshëm i përgjegjësisë dhe trajtimit të drejtë të të gjitha palëve janë objektivat legjitime të një sistemi të mirë përmbarimor”, -përmbylli fjalën e saj zv.ministrja Fjoralba Caka në konferencën e dhjetë ndërkombëtare në Moskë për ekzekutimin e detyrueshëm të vendimeve gjyqësore.

“Distancohem nga çdo bisedë e kolegut tim me Suel Çelën“

I doli emri në dosje, gazetari reagon nga SHBA

"Pacienti nuk ka pasur asnjë komplikacion që të kërkojë ndihmë jashtë..."

Luis Meçja kërkoi ndihmë ekonomike për t’u kuruar! Reagon spitali i Traumës

Si e mbajti nën vëzhgim shënjestrën për 2 vite

Plani i Suel Çelës për eliminimin e Ardjan Çapjas!

Shqipëria feston 112-vjetorin e Pavarësisë

Zhvillohet ceremonia e ngritjes së flamurit