Kryeministri grek, Kiriakos Mitsotakis, i ka dërguar kryesisë së Organizatës së Minoritetit Etnik Grek në Shqipëri, Omonia, një letër me mesazhe politike dhe falënderime për mbështetjen para zgjedhjeve.
Në letër Mitsotakis i siguron minoritarët se qeveria dhe Demokracia e Re me vullnet politik të fuqishëm do të jetë pranë minoritetit në të gjitha aspektet, duke mbrojtur të gjitha të drejtat e tyre, përfshi të drejtat e pronës.
“Mbrojtja e këtyre të drejtave është kriteri bazë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE”, ka theksuar Mitsotakis.
Ndërkohë, kreu i qeverisë greke shton se do të zhvillohen e fuqizohen më tej marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, jo vetëm në aspektin e integrimit të vendit në BE, por më gjerë, gjë që sipas tij, do favorizojë si minoritarët, ashtu edhe ecurinë e marrëdhënieve me dy vendeve fqinjë.
Njëkohësisht, në disa gazeta elektronike greke bëhet fjalë për një zëvendësim së shpejti të ambasadores greke në Shqipëri, Eleni Surani, me një diplomat gjithashtu njohës të thellë të marrëdhënieve bilaterale, por më afër këndvështrimit të qeverisë aktuale.