MENU
klinika

Ismail Kadare

“Në mesditë byroja politike u mblodh”

17.08.2019 - 21:39

Në tetor të 1975- s, Ismail Kadare do të sfidonte një regjim të tërë më vjershën reaksionare “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, apo siç njihet ndryshe “Pashallarët e kuq”.

Asokohe, shkrimtari tentoi ta botonte por korrigjuesit dhe kritikët në redaksinë e gazetës “Drita” ngritën alarmin.

Poema denonconte hapur dështimin dhe përlyerjen me gjak të sistemit diktatorial.

Ju kujtojmë se në 2016- n, 41 vite pas zbulimit të ditarit sekret të udhëheqësit komunist u gjetën shënime të vetë Hoxhës mbi Kadarenë dhe poemën e tij.

“Ky poet i lig e përgjithëson për të atakuar Partinë, bazën, socializmin, që janë të fortë si çeliku dhe zbatojnë një rrugë të drejtë të palëkundshme marksiste- leniniste të bazuar në luftën e klasave”, shkruan ekzaktësisht Enver Hoxha, ndër të tjera, në ditarin e tij.

Sipas Vahid Lamës, sekretarit personal të Hoxhës, poemën ia kishte lënë mbi tavolinë Ramiz Alia dhe pastaj kishte dalë nga zyra, kështu që kur hyri sekretari, Enveri sapo kishte përfunduar leximin e poemës dhe shpërtheu:

“Merri këto shënime dhe jepja Nexhmijes për t’i sistemuar diku në arkiv. Janë disa gjykime të miat për Ismail Kadarenë, që u dashka ta mbash nga xhaketa për të mos u gremisur në ato humnerat e fantazisë së tij të sëmurë. Ai shkruan për “Pashallarë të Kuq”, po cilët qenkan këta?

Anëtarët e Byrosë Politike?! Sigurisht ai kështu mendon. Por ajo mendja e tij, e pleksur me kozmopolitizëm, më pas do t’i pjellë që të shkruajë edhe për “Sulltanin e Kuq”! Hajde shkrimtar, hajde! Ai është një armik i rrezikshëm i partisë. E kemi përkëdhelur shumë, por tani me këto “Pashallarët e Kuq” durimi ynë është sosur, ai do të japë llogari.

Poema e tij është akuzë e rëndë për udhëheqjen e partisë, ajo është një trakt i zi, që bën thirrje për kryengritje, është një vepër makabre.”

Lama thekson se Enveri “ishte nxirë në fytyrë” dhe shton se “rrallë herë më kishte takuar ta shikoja në atë gjendje aq të shqetësuar”.

Për Kadarenë thotë se mendoi se kësaj here vërtet do ta pësonte dhe se “lart e poshtë thuhej gojë më gojë që arrestimi i Kadaresë ishte çështje ditësh”.

  • Poema në fjalë është kjo këtu:

1.
Në mesditë Byroja Politike u mblodh.
Vallë ç’ka ndodhur në kufijtë veriorë.
Në kufijtë e jugut vallë ç’ndodh.
Qielli është me re dhe dimri sjell dëborë.
Mos lëvizën klasat e përmbysura,
Mos ka katastrofë në prodhim.
Vallë ambasadorët mos kanë nisur
Radiograme plot shqetësim.
Jo. Kufijtë e shtetit janë të qetë.
Nga ambasadat lajme me alarm nuk ka.
Dhe nën diktaturë të proletariatit,
Dimërojnë kokëulur ish kastat e mëdha.
Dhe prodhimi është normal dhe ditët
Rrjedhin të zakonshme në dhjetor…
Po ahere pse kështu papritur
Në mesditë Byroja Politike umblodh?

2.
Shtetet s’prishen kurrë nga çatitë.
Shumë shumë mund të pikojnë diku.
Nga themelet ata prishen
Këtij ligji
Shteti socialist i bindet gjithashtu.
Mund që lart çdo gjë të duket bukur,
Gara socialiste, merrja këngës, haj.
Dhe pankartat dhe heronjtë e punës
Në gazetë lokale në Një Maj.
Telegrame urimi, diell i ndritur
Në mitingje e vjersha letrarësh të rinj
Kurse poshtë
pikërisht në themelitë
Rritet ngadalë tumor i zi.
Për armiqtë kemi topat, himnet, vallet.
Ambasadat që rrëfejnë diçka për ta.
Për burokratizmin ç’kemi vallë?
Topat s’pijnë ujë
dhe konsuj atje s’ka.

3.
Midis shkresash, telefonash,
letërthithësesh
Ata skenat mbushin gjithnjë
Mjaft me këtë qeshje dashamirëse
Burokratët janë tjetër gjë.
Jo me bojë pelikan përjargur,
Si tuafë të këndshëm ho, ho, ho,
Por të kobshëm
me duar të përgjakura
Gjer në bryle unë ata i shoh.
I shoh atje thellë tek rrëmojnë.
Në themelet e revolucionit pikërisht.
Ç’bëjnë ashtu
pse trupat e dëshmorëve
Kthejnë djathtas, majtas dhe
përmbys?
Pa shiko,
trupat sikur i lajnë.
Nga themelet gjakun duan të fshijnë shpejt.
Dhe pas gjakut amanetet q’ata lanë,
Idealet dhe parimet krejt.
Dhe vulën e gjakut si ta zhdukin,
Oh, e dijnë se është lehtë pastaj
Të ndryshojnë revolucionin, diktaturën
E punëtorëve
thelbin e saj.
Ja kështu, atje në gjunjë të ulur
Lajnë e shplajnë gjakun pa pushim
Po ç’patën papritur
Pse u ndalën
Tek një yrt i shkretë, tek një djerrinë.
Këtu janë varrosur të përmbysurit:
Pashallarë, bejlerë, familjet e mëdha
Ata sulen, trupat kthejnë përmbys e nisin
Që t’i zhveshin me një vrull hata.
Rrobe sundimtarësh të përgjakta
Me nishane e grada veshin shpejt.
Dhe me to mbi supe nëpër natë
Ikin drejt mëngjezit si rrebesh.

4.
Dhe mëngjezi erdh,
Të zbetë, të ngrirë,
Nën mantelet me nishane e me kurorë
Ata shkojnë në zyra, ministrira,
Madje ngjiten gjer në Komitet Qendror.
Pashallarë të kuq. Bejlerë me tesera partije
Baron-sekretarë. Bosë të naftës. Varg.
Në kortezh të zymte, nën himne liturgjie
Çojnë tabutin e revolucionit për në varr…

5.
Kurse pamja e jashtme ishte ndryshe
Buzëqeshje, tundje grushti në miting
Thjeshtësi tek xha Kamberi, tek X gjyshe,
Dhe fjalët “Enver” “parti”, “autokritikë”.
Kështu ishte ditën, kurse natën
Zbrisnin në themel ata sërish.
Por revolucioni s’ish kala e Rozafatit
Që duronte ditën ngre e ngre e natën prish.

6.
Enver Hoxha, syri i tij i mprehtë
Ishte i pari që dyshoi për ta.
Dhe ahere në themele të shtetit
Zbriti si në baladat e mëdha.
Një pishtar të kuq mbante në dorë.
Dheu dridhej
Flaka mbi ta ra.
Dhe i pa tek prishnin gjakun e dëshmorëve
Tek ndanin mantelet seç i pa.
“Ja, ku qenkeni!”
Ata u ngrinë.
– Oh, shoku Enver, hm, rroftë, oj!-
Por ai i mvrejtur me dhembjen në çdo thinjë
Si një mal në dimër bubulloi.
Krisht ai nuk ish që t’i dëbonte
Nga pushteti me kamçik dhe stap.
Ai klasën ngriti të punëtorëve.
Për ta bërë burokratizmin zap.

7.
Si dikur patrullat partizane
Shtegëtojnë ekipet e kontrollit punëtor.
Që të mos i marrin ministritë me topa Nesër.
Sot i marrim me kontroll.
Diktaturë e klasës s’është veç në vjersha
Dhe në ditlindjen e veteranit tornitor.
Je për socializmin?
Vrapo në rrjeshta
Shpall kudo dhe mbi këdo
kontroll punëtor.
Bjeri ditë e natë burokratizmit,
Klasën që u përmbys nën këmbë e mbaj.
Në se s’do që nesër skuadër e pushkatimit
Të të vejë në mur tek Bulevardi i Madh.

8.
Ditët ikin.
Vorbullat e ngjarjeve
Nëpër stinë e vite shtjellen me furi
Vijnë plenumet e partisë porsi ushtarët
E revolucionit
në stuhi.
Ecën klasa pas partisë në ditë epike,
Populli pas klasës derdhet oqean
Dhe n’u mbledhtë prapë Byroja Politike
Mesditë a mesnatë
gati të gjithë janë.