*Reportazh nga AFP
Shteti i ri dhe i vogël i Kosovës është shfaqur me një fuqi të jashtëzakonshme të xhudos nëpër botë, dhe suksesi i saj i papritur ka një emër; kampionen e re olimpike, Majlinda Kelmendi.
Njëmbëdhjetë vjet pasi fitoi pavarësinë nga Serbia, Kosova mori pjesë në Olimpiadën e saj të parë verore. Suksesi i Kelmendit në Rio në vitin 2016 i mundësoi Kosovës dy milionëshe të “mposhtnin vëllain e madh”, Shqipërinë, që kurrë nuk kishte fituar medalje olimpike në asnjë sport.
Historia e suksesit të xhudos në Kosovës u krijua nga trajneri Driton Kuka-Toni, në qytetin e vogël të Pejës, ku ai themeloi një klub xhudoje me vëllezërit e tij.
Një dhomë trajnimi me një çati që pikonte nuk e pengoi klubin të prodhojë kampionë.
U deshën disa vite derisa autoritetet vendosën të financojnë rinovimin e klubit të tij. Më pas, kampionët nuk u ndalën.
“Jam e sigurt që nëse nuk do të kishte Toni, Kosova nuk do t’i kishte të gjitha këto medalje sot, veçanërisht medaljen e artë olimpike”, thotë Majlinda Kelmendi për AFP-në.
Ajo u bë heroinë kombëtare falë hovit që mori në Rio, e që më pas u ndoq nga titujt e mëdhenj që mori në 2013 dhe 2014.
Në vendin e varfër në Ballkan ku futbolli është sporti kryesor, xhudistët mezi presin të jenë në krye të listës për ndihmë financiare nga autoritetet.
Ata marrin vetëm 250,000 euro çdo vit nga i gjithë buxheti 17 milionësh i ndarë për sportin.
- Hakmarrje ndaj historisë
Kelmendi, e cila gjithashtu mban tituj evropianë dhe mbizotëroi në Lojërat Evropiane në Minsk këtë vit, është ylli më i ndritshëm i skuadrës Kuka.
Por ajo nuk është më vetëm. Tani ajo drejton një grup, anëtarët e të cilit aspirojnë për hisen e tyre të titujve botërorë.
Distria Krasniqi, 25 vjeç, është kampione e re botërore dhe Nora Gjakova, 28 vjeç, fitoi medaljen e bronztë në kampionatet evropiane.
“Në kategori të ndryshme moshe, tani kemi 14 xhudistë që kanë arritur nivelin më të lartë”, thotë 48-vjeçari Kuka.
Shumica vijnë nga e njëjta lagje.
Duke krijuar një ekip kaq të fuqishëm, Kuka po merr hak ndaj historisë së trazuar të Kosovës që bëri një kthesë të madhe në karrierën e tij.
Në vitin 1992, me afrimin e Lojërave Olimpike të Barcelonës, Kuka ishte xhudisti më i mirë në radhët e garuesve të Jugosllavisë në kategorinë e meshkujve nën 71 kg dhe një nga më të preferuarit për medalje ari.
Por që nga viti 1989, situata ishte tensionuar në Kosovë. Shumica etnike shqiptare ishte nën zgjedhën e të fortit të atëhershëm të Beogradit, Slobodan Millosheviç.
Brenda një lëvizjeje të gjerë të rezistencës qytetare, të orkestruar nga “babai i kombit”, Ibrahim Rugova, atletët etnikë shqiptarë u larguan nga skuadrat jugosllave.
“Ekipi im i ëndrrave olimpike u prish”, kujton Kuka, duke shtuar se ai kishte mundur të gjithë medalistët e Barcelonës në gara.
- Trajnime nën rrënoja
Në fund të luftës 1998-1999, kur sulmet ajrore të NATO-s detyruan Beogradin të tërhiqte trupat e saj nga Kosova, Kuka themeloi klubin e tij në “Asllan Çeshme”, një lagje e varfër rrëzë maleve të Pejës.
Fëmijët e lagjes ishin ata që u trajnuan së pari. “Kosova ishte në gërmadha dhe fëmijët u traumatizuan”, kujton ai.
Kelmendi, e cila jetonte 100 metra larg klubit të improvizuar ishte në mesin e atyre që iu bashkuan ekipit, kujton trajneri.
“Nuk dija asgjë për këtë sport, por isha e lumtur”, thotë Majlinda Kelmendi. “Ne fëmijët nuk kishim asgjë tjetër për të bërë.”
Aftësitë e Kelmendit për të fituar tituj botërorë dhe olimpikë i mblodhën bashkatdhetarët e saj në rrugë për të festuar fitoret që Majlinda ia dedikonte shtetit të saj të ri.
Për gazetarin sportiv në Kosovë, Arsim Maxhera, Kelmendi “është tregimi më i madh i suksesit në vend, e jo vetëm për sport”.
Suksesi i tyre është “ngjitës”, sepse Peja tani ka pesë klube xhudo, me deri në 500 persona në trajnime.
Zjarri i “Asllan Çeshmes” tani do të pushtojë Tokio-n, ku kampionatet botërore do të shërbejnë si një “lojë nxehjeje” për Lojërat Olimpike të vitit 2020.
Edhe Nora Gjakova thotë se po planifikon të shkoj në Japoni “për të kurorëzuar gjithë këtë punë me një medalje”.
Kuka mendon se suksesi i grupit të tij e ka ndihmuar atë të përmbushë ambiciet e tij olimpike që u prishën nga lufta.
“Ekipi im i ëndrrave të dikurshme tani është plotësuar 100 përqind”, thotë ai.