MENU
klinika

Shpëtim Nazarko

Nuk ecet para, me këmbë të thyera dhe duar të lidhura

20.08.2019 - 14:34

Kishte një lajm të zi, para disa ditësh, në shtypin tonë. Kaloi ashtu si pa vënë re, siç ndodh rëndom me lajmet e ekonomisë. Shqipëria ishte në vend të fundit në Europë, për forcën e kualifikuar të punës dhe me një mesatare të frikshme për arsimin. Gati 50 për qind e forcës së punës, ishte me arsim nëntëvjeçar.

Ku mund të shkohet, me një shkallë të tillë arsimimi?

Cilat plane-projekte apo pjesë të Strategjisë kombëtare, mund të plotësohen a zhvillohen? Cilët investues të huaj mund të vijnë në vend? Përse u duhemi?

Po a na duhet vërtet, një forcë e tillë pune?

Shembulli më i thjeshtë është të shikosh infermierinë. Është i vetmi krah i lirë pune që i duhet dhe na i merr Europa. Për të tjera, nuk i duhemi.

Besoj dhe nuk ka arsye të vëmë ndonjë bast, se edhe sikur punët e tjera të shkojnë në rregull, do të duhen shumë vite që të bëjmë plane reale për të avancuar punët e vendit. Ato nuk ka kush t’i realizojë.

Mungesa e një krahu të lirë pune me aresim të mirë profesional, është njëra nga hallkat që pengon. Vetëm njëra.

Ai që mendon qoftë edhe një minutë për Strategjinë kombëtare, e kupton qartë se nuk kemi për të shkuar asnjë hap përpara nëse ajo nuk ekziston.

Në përfytyrimin tim naiv, sepse kjo do të ishte së pari, punë e atij që do të kërkonte të shpinte përpara vendin, do të duhej të respektonim dy shtylla të rëndësishme.

Vendi ka provuar prej 2 000 vjetësh, që është vend blegtoral dhe pastaj bujqësor. Shtylla e dytë, lidhet me të qenit e një vendi tranzit, ku të tjerët kalojnë për të shkuar diku.

Po a mund të bëhet e të shndërrohet Shqipëria, një vend blegtoral e bujqësor?

Natyrisht, po mungon një element i “vockël”. Shqipëria nuk i ka zgjdhur problemet me pronën. Kuptohet se, në këtë rast duhet të mbjellësh dhe të korrësh në ajër. Në tentativën për të zgjidhur individualisht këtë histori, janë vrarë rreth 10 mijë njerëz, këto 30 vjetët e fundit. Vendi po përballet gjithnjë e më shumë me faturat e lemerishme që vijnë nga Strasburgu, për histori pronash e pronarësh.

Po a është vendi, një vend tranzit?

Një port i vogël si ai i Durrësit, që thellohet e thellohet, po pra prapë nuk rrit dot kapacitetet më shumë se për anije 10 a 12 mijë ton, nuk të shpie gjëkundi.

Është detyrim që të kuptosh se edhe pa qenë vënd tranzit e të shndërrohesh thjesht në Republikë tregtare, do të duhet të zhvillosh më përpara se rrugët, portet dhe hekurudhat. Nuk do më shumë se një të qindtën e sekondës, për të kuptuar këtë domosdoshmëri. Eksportet e vendit janë të gjitha të lidhura me minerale, çimmento, gurë etj. Të gjitha këto kërkojnë jo kamionë dhe makina, por porte dhe hekurudha.

Po do t’i lëmë të gjitha këto, thotë një “mendje e ndritur”.

Do të merremi me turizëm e kaq.

Po me se do të ushqehen turistët? Kush u shërben atyre dhe çfarë? Dhe kë quajmë ne, strategji turizmi?

I gjendur një vit më parë në Kanionet e Nivicës, me Kryeministrin dhe disa amabsadorë, dëgjova ish-Kryeministrin e Suedisë që thoshte se ishte gati të investonte në këtë zonë të mrekullueshme, por me kushtin që të kishte tapi për pronën ku do të investonte.

Ndërsa ai dhe të tjerë flisnin, m’u kujtua se duhesh edhe rrugë për të hipur atje. Në fakt, zona aty e më poshtë, ka një karakteristikë që ndoshta s’e ka asnjë vend në botë. Riviera e hatashme është e rrethuar me ca male, po aq të bukur, prej nga mund të rrjedhë qumësht baxhosh e mish natyral, ku mund të kombinohet turizmi malor e ai i detit.

Po të gjitha këto kërkojnë rrugë, të çosh malin në det dhe anasjelltas. Një javë më vonë, në këtë zonë të Nivicës erdhi për të soditur mrekullitë një ekip i “Nacional Gjeografik”…

Po mund të shpiesh fantazinë të kombinosh malin e deti për turizëm dhe aty, për hir të Strategjisë kombëtare të shfrytëzosh duke e bërë më parë dhe Portin e Vlorës, që është potencialisht nga më të mëdhenjtë këtu e ca më larg, në Europë… Ëhë, po, po.

Vetë besoj si budalla, se do të mjaftonte Vlora me resurset e përmendura, të mbante në këmbë gjithë vendin.

 

 

 

 

 

Po si i bëhet?

Strategji kombëtare, nuk kemi. Ligje që nxisin këtë Strategji, nuk kemi. Forcë të kualifikuar pune, për t’i shërbyer elementëve të saj, nuk kemi.

Mendoni që do të zhvillohemi? Kurrë.

Do të thoni që do të zhvillohemi ashtu pak nga pak, si të mundemi dhe ku të mundemi.

Rreth 70 pika karburanti ka, nga Titrana në Durrës. Reth 1 700 agjenci turistike ka Tirana, po ashtu 10 000 kafene…

Mirë shumë. Do të mbledhim taksa prej tyre dhe do të rrojmë.

Kur kthehesha para disa ditësh në rrugën nacionale rrotull darkës, pashë se me dhjetëra karburante kishin fikur dritat. Avash, po kuptohet se ato miliona e miliarda të shpenzuara për gjithë budallallëqet, kanë humbur duke mos prurë gjë reale.

Ku po vemë?

Asgjëkundi. Kjo klasë politike që ka ndërmend ta shtyjë jetëgjatësinë e saj, qoftë dhe atë fizike, është e lumtur. I mjafton të bërtasë andej-këndej… Kapeni, hajdutin… dhe të flerë gjumë në mirëqenien e saj…

Do të na ndihmojë Europa? Me se?

Në këto 30 vjet, ajo mund të ketë hedhur këtu rreth 2 miliardë. Pesëdhjetëfishin e kësaj shume e kanë prurë vetë shqiptarët. Thua, po të kishin pasur një klasë politike të saktë, do të kishin menaxhuar më mirë këto 100 miliardë? Natyrisht

Mund të flasim sa të duam. Nga mëngjesi në darkë, mund të bërtasim…“kapeni hajdutin”. Po prapë, nuk bëjmë dot asgjë, veçse të shtojmë mjerimin tonë.

Me mungesën e Strategjisë kombëtare, Ligjet për pronën dhe mungesën e arsimit profesional, Shqipëria kërkon të ecë përpara më këmbë të thyera dhe me duar të lidhura.

 

Se ku shkohet me këtë mënyrë, një Zot e di!