MENU
klinika

Bllokohen edhe udhëtarët

Policia ndalon kamionët e guroreve në Tomorr

27.08.2019 - 16:07

Udhëtarët në aksin Poliçan-Skrapar po përballen me bllokime disa orëshe për shkak se Policia e Shtetit u ka bërë postbllok dhe ka ndaluar qarkullimin e mjeteve të guroreve që sot kërkuan t’i ngjiten malit të Tomorrit për të rinisur punë.

Përplasja nisi pak ditë më parë kur Gjykata Administrative rrëzoi VKM e qeverisë për shpalljen e Malit të Tomorrit Park Kombëtar çka ndalon edhe nxjerrjen e gurit.

Shumë udhëtarë mbetën të bllokuar për orë me radhë në aksin Poliçan-Skrapar, pranë fshatit Novaj, ku Policia e Shtetit ka bllokuar kamionët e firmave të nxjerrjes së gurit.

Ky veprim i forcave të Policisë të mbështetur edhe nga FNSH ka nxitur protestë nga pronarët e guroreve dhe bllokimi i rrugës ka shkaktuar vështirësi në qarkullim.

Biznesmenët e gurit nga ana e tyre kërkojnë largimin e policisë dhe lejimin e nisjes së punës në gurore, ndërsa e quajnë bllokimin të kundërligjshme. Përplasja mes institucioneve të shtetit dhe pronarëve të guroreve nisi pasi Gjykata Administrative rrëzoi VKM-në e qeverisë për shpalljen e malit të Tomorrit “Park Kombëtar” u ka dhënë të drejtën ligjore firmave të nxjerrjes së gurit dekorativ që të fillojnë punën në fshatin Novaj.

Pak ditë më parë firmat ranë dakord që të mos punonin deri në 25 Gusht për shkak të Pelegrinazhit në malin e Tomorrit, por pas përfundimit të pelegrinazhit, kërkojnë nisjen e aktivitetit.

Qeveria nga ana tjetër e ka bërë të qartë se do t’i shkojë deri në fund nismës për shpalljen e Tomorrit Park Kombëtar që ndalon nxjerrjen e gurit.