Kontributin më të madh të mposhtjes së Rajhut Nazist e mban mbi shpatulla Bashkimi Sovjetik. Sigurisht, mbrojtet heroike të Leningradit, Moskës dhe Stalingradit që ndryshuan kthesën e luftës, nuk mund t’i atribuohen një grupi individësh. Fitore të tilla janë vetëm rezultat i përpjekjeve të përgjkashme të qindra-mijëra dhe miliona njerëzve.
Por në qoftë se roli i një individi duhej të futej në llogari atëherë emri i Giorgi Zhukovit është i lidhur ngushtë me opinion publik si arkitekti që drejtoi operacionet më vendimtare të Luftës së Dytë Botërore duke dhënë një kontribut të padiskutushëm në fitoren e Aleatëve.
Giorgi Zhukov lindi me 2 dhjetor 1896 në një familje fshatareske të Strelkovkës në provincën e Kalugës. Në moshën 7 vjeçare ai frekuentoi një shkollë famullitare ku mësoi shkrim dhe lexim, por e braktisi në mënyrë që të ndihmonte prindërit e tij.
Për një fare kohe ai ishte çiraku i dajës së tij në Moskë ku mësoi zanatin e këpucarit dhe për pak kohë u mor me punimin e pëlhurave. E megjithatë ai i vazhdoi studimet dhe në 1913, Zhukovi i kaloi provimet.
Me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, Zhukovi u vendos në një regjiment kavalerie. Më vonë ai do të shënonte se e gjente kavalerinë më interesante se këmbësorinë. Në këtë periudhë në kujtimet e tij Zhukovi i është shumë mirënjohës, komandantit të njësisë, i cili duke e vlerësuar potencialin e Zhukovit e instrukton atë që të studiojë gjerësisht çështjet ushtarake.
Në konfliktin e parë botërorë ai shërbeu me kurajo dhe fitoi dy medalje.
Pas Revulucionit Bolshevik të 1917-s ai u bë anëtar i Partisë Komuniste dhe në gusht të 1918-s ai hyri vullnetarisht në Ushtrinë e Kuqe , duke marrë komandën e një regjimenti dhe më vonë ai u plagos në 1919 në Luftën Civile Ruse.
Në gushtin e 1922-shit ai merr dekoratën e parë sovjetike, Urdhrin e Flamurit të Kuq. Është e rëndësishme të theksohet këtu se komanda e një regjimenti konsiderohej gjithmonë si një hap i rëndësishëm në përvetësimin e eksperiencës ushtarake.
Me trimërinë dhe egërsinë e tij ai u vu në vëmendje të Stalinit, në atë kohë anëtar qeverie.
Stalini e inkurajoi atë të studionte shkencën ushtarake, të cilën e filloi në Rusi dhe Gjermani. Gjatë reprezaljeve të 1937-38, ku shumica e ushtrisë u pastrua nga Stalini, Zhukovi ishte me shërbim në kufirin e Mançurisë.
Në marsin e 1933-shit ai drejtoi Divisionin e katërt të kavalerisë dhe falë punës së palodhur të tij në organisimin e formacionit, divisioni shumë shpejt u veçua për mirëpërformancën e tij.
Në këtë kohë Zhukovi merr Urdhrin e Leninit, një medalje shumë e lartë për tu dhnë në kohë paqeje. Përpara se të fillonte beteja e Khalin-Golit, suksesi i parë ushtarak i tij, Zhukovi kishte pas vetes çerek shekulli karrierë ushtarake, duke kaluar nga rangu më rang nga ushtari në komandant korpusi.
Për brilancën e treguar gjatë konfliktit sovjetiko-japonez ai u emërua Hero i Bashkimit Sovjetik, dhe u gradua në gjeneral. Në qershor të 1940-s ai mori komandën e Distriktit prestigjoz ushtarak të Kievit, ku me horizontin e tij të madh ushtarak trajnoi trupat.
Që kur kishte drejtimin e këtij formacioni ai filloi të ideonte mbrojtjen e BS-së nga një sulm i mundshëm gjerman. Autoriteti i Zhukovit u rrit akoma më tej në sytë e Stalinit. Me 15 janar 1941 ai emërohet Shef Shtabi të Përgjithshëm.
Zhukovi e mori punën me 1 shkurt dhe për një kphë të gjatë ai i kërkoi Stalinit që ta përgatiste ushtrinë sovjetike për një sulm të papritur gjerman. Këtu duhet të përmend një citim në studimin e Stalinit të Dmitri Volkogonit, Triumph and Tragedy – ku Zhukovi i hartoi në mes të majit Stalinit një plan që mund të kishte kthyer përmbys natyrën pasive të strategjisë sovjetike.
Filloi Lufta e Madhe Patriotike (kështu njihet Lufta e Dytë Botërore nga rusët), dhe gjatë kohështrirjes së saj Zhukovi do të ekspozonte plotësisht aftësitë e lidershipit dhe brilancën e tij ushtarake. Stalini dhe Zhukovi nuk ranë dakort për strategjinë e mbrojtjes në momentin e pushtimit. Zhukovi preferonte vendosjen e një linje mbrojtese jashtë Kievit.
Stalini e quante të çmendur këtë strategji dhe e mbajti Kievin dhe injorimi që i bëri Zhukovit i kushtoi 600 000 ushtarë që u kapën rob nga gjermanët, në rrethimin e Kievit.
Zhukovi u pezullua nga pozicioni i tij si Shef Shtabi dhe u mor me kërcënimin më të afërt të fushatës Barbarosa, avancimin gjerman drejt Moskës. Ai ia doli ta mbronte Moskën falë 1941-42 dhe një dimër më vonë triumfon vendimtarisht mbi Stalingrad.
Viti 1943 do të lulëzonte me fitore të tjera për Zhukovin. Në fillim e 1943-shit ai tentoi të thyejë rrethimin gjerman 3 vjeçar të Leningradit, dhe në verën e atij viti korri një fitore vendimtare në Kursk, betejën më të madhe të tankeve në histori.
Në vitet e fundit të luftës Zhukovi orkestroi të gjitha operacionet e çlirimit të tokave të mbetura të Bashkimit Sovjetik nga ushtria gjermane. Ai e përfundoi luftën duke marrë kryeqytetin e Rajhut të shkatërruar, Berlinin, i cili kapitulloi me 2 maj 1945. Disa ditë më vonë Aleatët do të shpallnin fitoren mbi Europë.
Një ngjarje që Zhukovi e kujton me lavdi dhe çdo rus kur e shikon atë sekuencë filmike ndihet krenar, është momenti i datës 24 qershor 1945, ku Zhukovi hipur mbi një kalë të bardhë parakaloi nëpër Sheshin e Kuq të Kremlinit, duke celebruar fitoren mbi Gjermaninë Naziste.
Nga fundi i luftës deri në mars të 1946 ai ishte Komandant i Forcave të Okupimit në zonën sovjetike të Gjermanisë. Stalini nuk e shikonte me sy të mirë popullaritetin në rritje të Zhukovit, gjë që nuk i dha paqe diktatorit të çeliktë.
Edhe pse Zhukovi u bë Komandant i forcave Tokësore Sovjetike dhe Zëvendësministër i Mbrojtjes, ai qëndroi 3 muaj në këtë post.
Ai dërgohet në Distriktin Ushtarak të Odesës, dhe më vonë nga frika se mund të arratisej u dërguan në një distrikt më të izoluar, në Urale. Me vdekjen e Stalinit, Nikita Hrushovi e mirëpriti Zhukovin duke i dhënë një post në byronë qeveritare. Por edhe Hrushovi i druhej autoritetit në rritje të Zhukovi dhe e shkarkoi. Në 1964, lideri i ri sovjetik, Leonid Brezhnjevi, e restauroi pak figurën e Zhukovit por prapë se prapë, ai nuk iu kthye jetës politike dhe ushtarake.
Ai i kaloi vitet e fundit të jetës ai u mor në shkrimin e një librin të jashtëzakonshëm, Kujtimet dhe Reflektimet, një autobiografi e Zhukovit, ku si temë qëndrore kishte vitet e Luftës së Dytë Botërore.
Megjithë degjenerimin që i ishte bërë figurës së Zhukovit asgjë nuk e intimidoi popullin rus të merrte pjesë masivisht në varrimin e tij me 18 qershor 1974. Audienca e përlotur i dha lamtumirën e fundit kur ai u varros në murin e Kremlinit.