- Nga Alban Daci
Populizmi vjen si një “politikë pa politikë”. Pra, është forma, kur populli përfshihet në politikë, si shpresa e fundit, për shkak të një krize të thellë të lidershipit ekzistues.
Në këto kriza, populli bëhet, ose detyrohet të bëhet protagonist i fatit të tij, kur klasa politike nuk është më garante për një mision të tillë.
Të gjitha demokracitë perëndimore janë përfshirë në valën e populizmit e madje, populizmi nga anti-politike po rikthehet tashmë një sistem të ri politik. Mjafton të përmendim SHBA me zgjedhjen e presidentit Trump, apo edhe në rastin e Italisë me ardhjen e “Pesë Yjet” dhe “Lidhja”.
Fitorja e populizmit shënon shkallën më të lartë të demokracisë në atë vend. Në vendet, ku nuk ka demokraci, nuk ka populizëm, por revolucion, ose tentative për revolucion.
- Pse atëherë, populizmi nuk bën hajër në Shqipëri?
Sepse, në Shqipëri nuk ka demokraci. Pushteti është monopol absolut i klasës politike që, në të vërtetë, ka monopolizuar shoqërinë dhe çdo formë tjetër, ku mund të forcohet e lind demokracia. Partitë politike shqiptare, për të ruajtur primatin e pushtetit dhe monopolin absolut të tij, janë të gatshme të bëhen bashkë me qëllimin që vetëm forma të tjera politike të mos kenë mundësi të lindin, apo të zhvillohen.
Pra, kushti i parë që të ketë shpresë për populizëm është ekzistenca e një shoqërie me baza të kënaqshme demokratike, në planin sociale e politik.
- Ju do të thoni, pse atëherë, nuk ndodh revolucioni?
Revolucioni ndodh në kushtet e një depostizmi ekstrem dhe në kushtet e një dëshpërimi të madh social e politik. Në Shqipëri është bërë aq bukur loja, sa është krijuar imazhi i ekzistencës së një demokracie false. Kjo është një arsye tjetër për të besuar e për të qenë i bindur se në Shqipëri s’ka demokraci, pasi propaganda nuk është mjet i suksesshëm që përdoret me efikasitet në rrethanat e një demokracie të shëndoshë. Demokracia ka transparencën dhe transparenca është armiku numër një i propagandës. Shembull më i mirë, se si propaganda është mjet që lufton demokracinë e sfidon transparencën është vendosja e monumentit turk tek kodrat e liqenit.
S’kemi asnjë transparencë për vendosjen e tij, por kemi të vetmin qëndrim që pranohet si vërtetësi absolute, atë të Bashkisë dhe Qeverisë, duke argumentuar se është krejt normale vendosja e atij monumenti.
Ka iluzione se populizmi mbetet gjithmonë ashtu. Nuk është ashtu, sepse një popull kurrë nuk qeveris apo qeveriset me pjesëmarrjen kolektive të të gjithëve, e nëse do të ndodhte, do të quhej anarki.
Populizmi vjen si risi, si lëvizje popullore, por nëse do të mbijetoi e ka të detyruar të riorganizohet në parti politike dhe për pasojë të kthehet në një sistem sigurisht në një sistem me shpresë e një fasade të re, por me të njëjtat mekanizma klasik të organizimit dhe mbajtjes së pushtetit.
- A duhet një populizëm në Shqipëri?
Populizmi prish ekuilibrat dhe sjell risi. Në një vend që për një kohë të gjatë nuk ka ndryshim elitash, në atë vend ka shumë me shumë mundësi për korrupsion, abuzim, shkelje të drejtash, vrasje të demokracisë dhe shtypje të çdo proces real demokratik. Pasiguria e mbajtjes së pushtetit është, në vetvete, një formë e rëndësishme demokratike, sepse elitat ekzistuese duhet të bëjnë përmirësime të vazhdueshme, për të mbajtur pushtetin. Mungesa e një forme, rryme apo modeli kundërshtues është një garanci më shumë qeë elitat ekzistuese të kthehen në forma të egra antidemokratike. Një elitë politike që ka për një kohë të gjatë në pushtet, që nuk ka kundërshtarë dhe nuk ka frikë për humbjen e pushtetit, ajo është më pak e motivuar për të qeverisur me sukses.
Gjithashtu, koha e gjatë e një elite në politikë e bën atë më pak të motivuar dhe më pak energjike për të qeverisur me sukses vendin. Në këto rrethana, Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për populizëm, që të nxisë garën, për të nxjerrë një elite politike të re dhe më të përgjegjshme. Kur them për populizëm e kam fjalën për një politikë kundër politikës që, më vonë, të kthehet në një politikë klasike, por me model dhe mendësi të re, të ndryshme nga ekzistuesja.