MENU
klinika

"Anglisë i tregova sa vlej me Belgjikën"

Rrëfehet Januzaj: Ja kush më shkatërroi karrierën!

16.08.2019 - 21:13

Adnan Januzaj u shfaq i destinuar për një të ardhme të ndritshme në Angli, kur mbërriti në “Old Trafford”, nën drejtimin e David Moyes.

Paraqitjet e tij të hershme ishin aq të mira, sa krijuan pritshmëri të mëdha për anësorin 24-vjeçar, tashmë. Januzaj shpejt e pa veten “tepricë” te Manchester United, ndaj u huazua te Borussia Dortmund dhe Sunderland, përpara se të siguronte kalimin e përhershëm te Real Sociedad, në vitin 2017.

Ai e ka rindërtuar reputacionin e tij në Spanjë, çka e pohon në intervistën e dhënë për “The Telegraph”:

“Transferimi në Spanjë ishte një veprim i mirë. Unë kisha edhe mundësi të tjera, por vërtet dëshiroja të vija dhe të luaja në La Liga. Këtu e duan lojën e bukur. Kjo është gjëja më e rëndësishme në futboll, pse e luajmë atë. La Liga i përshtatet stilit tim.

Është shumë më teknike, lojtarët janë mjaft të aftë. Pozicionimi i lojtarëve në fushë është vërtet i zgjuar. Në Angli, futbolli është pak më shumë fizik, përdoret një top pak i gjatë, më i drejtpërdrejtë. Në Spanjë, shumica e skuadrave përpiqen të luajnë nga mbrapa.

Është mirë të kesh përreth lojtarë, që kënaqen me topin, e qarkullojnë mirë atë. Kjo të ndihmon, e bën sulmin më të lehtë, bën ndryshimin”.

Januzaj beson se përparimi i tij te Manchester United u trondit nga ardhja e Van Gaal, me trajnerin holandez që nuk besoi te talentet:

“Unë u rrita atje, isha vërtet i lumtur, derisa një moment pata luftë të madhe me trajnerin. Kjo më ngadalësoi. Gjithmonë e dija se i kisha të gjitha cilësitë për t’i kthyer gjërat në favorin tonë.

Problemi ishte se Van Gaal nuk po më aktivizonte. Sa herë që hidhesha në fushë, ishte e vështirë të ndryshoja lojën, ose të bëja diçka të ndodhte, sepse nuk kisha besimin e trajnerit. Atëherë, imagjinoni të kaloni një vit në këtë situatë!”

Kauza e Januzaj u vështirësua edhe më shumë si mesfushor krijues. Për këtë shtoi:

“Saktësisht, sepse ju jeni një lojtar që mund të bëni ndryshimin, të shënoni gola. A mund ta imagjinoni nëse trajneri nuk ju jep besimin e duhur…, situata bëhet më e vështirë, sepse nuk dini çfarë të bëni: të sulmoni, apo të luani thjeshtë. Mora shumë kritika, por, për mua, nuk ishte problem. Unë vazhdoj të bëj gjërat e mia dhe tani jam në një kampionat tjetër.”

Januzaj shënoi kundër Anglisë gjatë ndeshjes së fazës grupore të Kupës së Botës 2018, ndërsa e pa veten pjesë të belgëve edhe në “play-off”, për vendin e tretë:

“Jam i lumtur, sepse kam luajtur në dy Kupa Bote, kam shënuar edhe kundër Anglisë. Kësisoji, iu tregova njerëzve se kundër një kombëtareje angleze, lojtarët e së cilës luajnë të gjithë në Premier League, ende mund të bëj ndryshimin. Ishte një moment i mirë”.