Shefi për çështje bërthamore në Rusi, është zotuar se ky shtet do të vazhdojë të zhvillojë armë të reja, teksa janë varrosur pesë studiues që kanë vdekur si pasojë e një shpërthimi gjatë testimit të një pajisjeje bërthamore.
E përditshmja amerikane, The New York Times, ka thënë më 12 gusht, duke cituar në kushte anonime disa zyrtartë amerikanë të inteligjencës, se Rusia duket se ka qenë duke testuar “një lloj të ri të raketës bërthamore” dhe se shpërthimi “mund të jetë një nga aksidentet më të këqija bërthamore në rajon pas Çernobilit”.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se Shtetet e Bashkuara, “janë duke mësuar shumë nga shpërthimi”.
Duke iu referuar një rakete që dyshohet se ishte duke zhvilluar Rusia, Trump ka thënë se “shpërthimi ka shqetësuar shumë njerëz për ndotjen e ajrit dhe aspekte tjera”.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë fillimisht se si pasojë e shpërthimit kanë vdekur dy persona dhe gjashtë të tjerë janë plagosur.
Mirëpo, agjencia për fuqi atomike e kontrolluar nga shteti, Rosatom, ka pranuar se pesë punëtorë kanë vdekur, dhe tre janë plagosur.
Shpërthimi ishte përcjellë me një rritje të shkallës së rrezatimit në Severodvinsk, që gjendet rreth 40 kilometra në lindje të zonës së testimit, mirëpo sipas zyrtarëve një gjë e tillë nuk përbën rrezik.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka insistuar se nuk ka pasur rrezatim dhe nuk ka identifikuar llojin e raketës që ka qenë duke u testuar.
Edhe në të kaluarën, Rusia ka mbajtur të fshehura incidentet e mëdha, duke përfshirë shpërthimin e centralit bërthamor të Çernobilit. Ky njëherësh konsiderohet incidenti më i keq bërthamor në histori.