Ka nisur shembja e digës së betonit pranë Kanionit të Holtës që ishte parashikuar që të bëhet HEC.
Leja për ndërtimin e Këtij HEC-i ishte anuluar në janar të 2019, por vetëm ditën e sotme është marrë vendimi për prishjen e kësaj dige betoni që ishte ndërtuar në dalje të kanionit të Holtës.
Në lidhje me këtë vendim ka reaguar edhe kryetari i ri i bashkisë Klodian Taçe i cili ka thënë se së bashku me interesin e qytetarëve, ministria vendosi që të shembë digën.
Më pas Taçe ka thënë se ka ikur koha kur qyteti i Gramshit përbuzej dhe pasuritë e shumta natyrore përdoreshin për përfitime personale të një grupi të caktuar personash.
Ndër të tjera ai shton se nën drejtimin tim nuk do lejoj asnjë investim, sado strategjik të jetë nëse cënon pasuritë natyrore të zonës.
Prej disa kohësh banorët e kësaj zone kanë protestuar kundër ndërtimit të këtij kanioni, dhe duke iu përgjigjur banorëve ministria e Energjisë iu përgjigj duke e anuluar projektin.
- Reagimi i plotë i kryetari të Bashkisë së Gramshit:
Të dashur qytetarët e mi, me kënaqësi dua t’ju njoftoj se është marrë vendimi për prishjen e digës së betonit pranë Kanionit të Holtës. Edhe njëher doja të falënderoja të gjithë ata që reaguan dhe mbështetën, se bashku me mua, interesin e qytetarëve të Gramshit.
Falenderoj veçanërisht ministren përkatëse, zonjën e nderuar Belinda Balluku e cila u përgjigj pozitivisht shqetësimit tonë, spektrin politikë ku unë bëj pjesë që na mbështetën me reagimin e menjëhershëm, banorët e zonës, aktivistët e ndryshëm që dolën në mbrojtje të një kauze të drejtë dhe të gjitha mediat që i dhanë jehonë problemit të qytetarëve të Gramshit.
Iku koha kur qyteti i Gramshit përbuzej dhe pasuritë e shumta natyrore përdoreshin për përfitime personale të një grupi të caktuar personash. Bashkia Gramsh nën drejtimin tim nuk do lejoj asnjë investim, sado strategjik të jetë nëse cënon pasuritë natyrore të zonës.