Policia shpall në kërkim administratorin e “Gega Oil”, Paulin Gega. Ai akuzohet për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” , “Ndryshimi në aparatet matëse” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.
Policia e Shtetit thotë se në bashkëpunim me organet tatimore, ka ndjekur veprimtarinë e tatimpaguesit « Gen Klaudis ShA », në vijim të zbatimit të Planit të Masave kundër Informalitetit dhe Evazionit Fiskal në sektorët e Turizmit, Ndërtimit, Hidrokarbureve, Tregtimit të mallrave me akcizë, dhe ka ushtruar kontroll në datën 07.08.2019.
Sipas njoftimit të uniformave blu, “nga kontrolli tatimor janë gjetur pompa, të cilat në shkelje të ligjit, funksiononin në regjim manual dhe për këtë arsye, është kryer bllokimi i tregtimit të karburantit nga ky subjekt”.
Menjëherë pas bllokimit, u kryen hetime intensive që çuan në konkluzionin se administratori i kompanisë, shtetasi Paulin Gega, përmes subjektit “Gen Klaudis Sha” që njihet me emrin tregëtar “Gega Oil”, ka kryer evazion fiskal në përmasa të konsiderueshme.
Policia shton se po ky shtetas është proçeduar katër vjet më parë nga Drejtoria e Policisë Shkodër, për veprën penale fshehje e të ardhurave.
Pas veprimeve të saj hetimore, Policia e Shtetit i referoi në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, materialet në ngarkim të shtetasit Paulin Gega.
Prokuroria nxorri një urdhër ndalimi për këtë shtetas, i cili rezultoi se është larguar nga vendi një ditë më parë ( dt.09.08.2019 ).