MENU
klinika

Vizitoi, Mentor Nazarko

Sot në Uzinën Mekanike të Gramshit, ku dje punonte një qytet…

18.08.2019 - 19:41

*Uzina Mekanike Gramsh është një ndërmarrje shtetërore, e themeluar në vitin 1962, me qëllim përmbushjen e kërkesave të Forcave të Armatosura Shqiptare për armë këmbësorie.

Kombinati ndodhet në fshatin Çekinë në Komunën Pishaj, 4 km pranë qytetit të Gramshit. Uzina Mekanike Gramsh, u ndërtua dhe filloi aktivitetin e saj në vitet 60–të.

Projekti i punës ka filluar në vitin 1962 ndërsa prodhimi me liçensë kineze filloi në vitin 1962 me pushkë të tipit “Simonov” me kalibër 7.62 mm. Në vitin 1974 u instalua prodhimi i automatikut AK-47. UM GRAMSH siguron shërbime prodhuese për industrinë e mbrojtjes me makineritë e saj të precizionit të lartë, riparime, trajtime në të nxehtë si edhe emalimin e sipërfaqeve. Sistemi i cilësisë së ndërmarrjes është i certifikuar me GOST.

Momentalisht UM Gramsh po vazhdon me projektin e demontimit të armatimeve të tepërta, dhe riparime të armëve ekzistuese por në të ardhmen po mendohet që të rinovohet linja e prodhimit dhe të nisë prodhimi i armëve të këmbësorisë për të cilat UMG ka liçensë.

Gjatë vizitës së fundit të ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ajo premtoi se kjo uzinë do të kthehej në burim punësimi për banorët e zonës.

Pas njjohjes me situatën në të cilën ndodhet uzina ajo u shpreh se Uzina Mekanike e Çekinit është pjesë e projektit për rivitalizimin e industrisë ushtarake.

Kjo nënkupton se Uzina e Çekinit pritet të aktivizohet.

Ndërkohë më poshtë do të mund të ndiqni një video të siguruar nga Konica.al, e cila përcjell pamje të gjendjes në të cilën është sot Uzina Mekanike në Gramsh. Përmes kësaj vizite të gazetarit Mentor Nazarko, edhe ju mund të mësoni më tepër se çfarë ndodh sot me armët e grumbulluara në këtë ndërmarrje.

Sot një depo armësh, ku sipas sqarimit të punonjësve realizohet demontimi i armatimeve të Shqipërisë, ato çfarë kanë mbetur ndër vite, apo edhe të grumbulluara nga populli.

Ndërkohë, më herët në ish-Uzinën Mekanike të Gramshit, punonin rreth 400 punëtorë, një arsye kjo edhe pse Gramshi, në fund të viteve ’90 me 50 mijë banorë, sot ka 36 mijë banorë. Një qytet apo krahinë e ndërtuar rreth industrisë ushtarake.