Rezultatet zhgënjyese të ekonomisë gjermane në tremujorin e dytë tregojnë se vendi është afër recesionit. Luftërat tregtare, ulja e eksporteve në Kinë dhe SHBA por edhe mungesa e stimujve fiskalë nga qeveria janë disa nga faktorët që e kanë përkeqësuar situatën ekonomike në muajt e fundit.
Ekonomia gjermane po sinjalizon hyrjen në recesion duke u tkurrur me 0,1 për qind në tremujorin e dytë të vitit.
Në të njëjtën periudhë një vit më parë, rritja ishte zero, ndërsa në tremujorin e parë të 2019-ës, 0,4 për qind.
Mendohet se shkak për ngadalësimin e ekonomisë më të madhe në Europë mbetet pasiguria globale dhe luftërat tregtare.
Gjermania është e varur nga eksportet e mallrave në Kinë dhe Shtetet e Bashkuara, vende të cilat prej muajsh nuk po gjejnë dakordësi për një marrëveshje më të drejtë dypalëshe.
Shitjet e pakëta në industrinë e automobilave, frikërat e Brexit në tetor por edhe stimujt e munguar fiskalë nga ana e qeverisë së kancelares Angela Merkel po ashtu kanë ndikuar në uljen e prodhimit ekonomik krahasuar me tremujorin e parë.
Zyra gjermane e statistikave informoi të mërkurën se megjithatë shpenzimet e konsumatorëve dhe të qeverisë janë rritur, sikurse investimet në sektorin e ndërtimit, por prodhimi industrial i vendit është ngadalësuar me gati 5 për qind nga viti në vit.
Këtë javë, kancelarja Merkel e pranoi se ekonomia e vendit të saj ka hyrë në një fazë të vështirë, por nuk propozoi hapa fiskalë për të dalë nga situata.
Megjithatë Gjermania duket se nuk do të jetë viktima e vetme e pasigurive globale.
FMN raportoi muajin e kaluar se nëse luftërat tregtare do të përshkallëzohen akoma, edhe ekonomia globale do të rritet më pak se parashikimet në dy vitet e ardhshme.