Varri i heroit kombëtar të rezistencës shqiptare kundër pushtuesve serbë, Azem Galicës është dëmtuar sot nga disa persona të paidentifikuar.
Sipas mediave kosovare, ngjarja e turpshme ka ndodhur në fshatin Galicë, ku është varrosur simboli i rezistencës i njohur si Azem Bejta.
Ende nuk ka detaje për këtë vandalizëm, ndërsa policia dhe grupi hetimor po punojnë për identifikimin dhe më pas arrestimin e vandalëve.
Ditë më parë u dëmtua edhe busti i i At Shtjefën Gjeçovit.
- Azem Galica
Azem Bejtja i njohur, sipas zakonit, prej fshatit nga vinte si Azem Galica (1889 – 1924) ka qenë prijës popullor i Lëvizjes kaçake që luftoi për bashkimin e trevave kombëtare.
U lind në dhjetor të 1889 në Galicë (asokohe pjesë e pesë bajrakëve të Drenicës), i biri i Bejtes (Bejtullahut) dhe Sherifes së Kurt Selacit – nga martesa e parë e të atit kishte dy vëllezër, Seferin dhe Zenelin, ndërsa të një barku kishte motrën Mihanën dhe vëllain e vogël, Ademin. Më 1906 në një revoltë lokale kundër Shemsi Pashës, mbeti i vrarë i zoti i shtëpisë, Bejta. Kjo ngjarje dhe ndeja ndër oda e burrëruan parakohe Azemin.
Më 1910 Azemi rroku armët për të marrë pjesë në kryengritjen e përgjithshme në Vilajetin e Kosovës. Në vazhdë të kryengritjeve kundër regjimit xhonturk qe me drenicakët që shkuan pas Isa Boletinit, përkrah të cilit luftoi në Mitrovicë kundër ushtrisë serbe kur shpërtheu Lufta e Parë Ballkanike, në frontin e Podujevës dhe më pas në malet e Drenicës.
Pas qëndresës dimrin e 1912, u kap nga forcat serbe dhe u mbyll në kampin e Rudnikut, katund afër Radishevës; pasi u arratis, i plagosur, e kapën sërish dhe e futën në burgun e Mitrovicës dhe mbas pak ditësh në kampin e Pozharevacit në Serbi së bashku me vëllezërit e tij. Pranverën e 1915 u arratisën dhe dolën në mal kaçakë, pasi u kthye shkoi në Klinë të Poshtme ku u takua me prindët e Shotës, ku vendosën për martesën. Dy javë më pas, Galicajt u rrethuan nga xhandarmëria serbe dhe pasi u gjuajtën, ngelën të vdekur dy vëllezërit e mëdhenj dhe iu bashkua Shota duke gjuajtur nga frëngjitë xhandarët serb.
Duke qenë se krahina e Drenicës ishte ndarë me vijë demarkacioni mes austro-hungarezëve dhe bullgarëve, veprimtaria kaçake e çetave të Azem Galicës lëvrinte sa në njërën, sa në tjetrën anë të kufirit. Kështu vazhdoi derisa u rrethuan një herë marsin e 1917 dhe u detyruan të gjenin strehë ndër bjeshkët mes Pejës e Istogut.[6] Në vijim shkëmbyen zjarr me austro-hungarezët në Bajë dhe Llaush.
Më 1917 u takua me Kostë Vojvodën në Pridvoricë, ku arritën një marrëveshje për të ngritur një kryengritje të përgjithshme kundër austro-hungarezëve dhe bullgarëve në bashkërendim me planet e aleatëve në Frontin e Maqedonisë. Pas kryengritjes dhe zmbrapsjes së austro-hungarezëve nga pozicionet e tyre, njësitë serbo-malazeze i kthyen armët kundër çetave shqiptare të Drenicës, Pejës e Istogut.
Luftëtar i shquar popullor për çlirim e bashkim kombëtar, për një regjim shtetëror demokratik në Shqipëri, organizator i lëvizjes së armatosur në Kosovë kundër pushtuesve të ndryshëm gjatë viteve 1912 – 1924. Vdiq më 25/26 korrik 1924 në moshën 35 vjeçae. Varri i tij në shpellën “Quku që kërset”, 75 metra i thellë, mbetet i fshehur 47 vjet në saje të betimit të shokëve. Në Golaj të Hasit më 1923-1924 Sali Morina u dha mësim luftëtarëve të lirisë Shote dhe Azem Galica.
Veprimtarinë e tij patriotike e filloi në vitet 1910-1912, kur mori pjesë në kryengritjet antiosmane. Pas shpalljes së Pavarësisë luftoi në fillim, më 1912-1915 kundër pushtuesve serbë, dhe më pas, më 1915-1918 kundër pushtuesve austriakë e bullgarë. Gjatë Luftës së Parë Botërore drejtoi luftën e çetave kundër rivendosjes në Kosovë të pushtetit të borgjezisë serbomadhe. Pati përkrah tij deri në fund gruan e vet Shote Galica.
Sipas direktivave të Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, në vitin 1919 mori pjesë në organizimin dhe drejtimin e Kryengritjes së Rrafshit të Dukagjinit, më 1921-1923 mbrojti Zonën Neutrale të Junikut, që shërbente si bazë e kryengritësve të Kosovës e të Malësisë dhe përkrahu kryengritjen e malësorëve të Shqipërisë së Veriut kundër regjimit reaksionar feudo-borgjez. Në vitin 1924 Azem Galica dërgoi luftëtarë për të marrë pjesë në Revolucionin demokratikborgjez të Qershorit. Vdiq nga plagët që mori në luftimet e përgjakshme të korrikut 1924, për mbrojtjen e zonës së lirë të Drenicës, “Arbanisë së vogël”.