Komisioni i Venecias do të sjellë në Tiranë një delegacion faktmbledhës për të kuptuar dhe më pas përgatitur opinionin për Kuvendin e Shqipërisë në lidhje me shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.
Duket se kjo nismë e PS-së do të kalojë në një kalvar të gjatë, sa kohë që Gjykata Kushtetuese është inekzistente.
Gjatë takimeve me palët e përfshira në këtë proces, delegacioni do të kërkojë më shumë sqarime për të formuar një opinion të plotë mbi 8 pyetjet e drejtuara nga Kuvendi i Shqipërisë.
Mazhoranca kërkon shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, pasi sipas saj me dekretin për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit ka shkelur Kushtetutën dhe ka cënuar sovranitetin e popullit dhe Kuvendit.
Me shumë gjasa as Shtatori nuk do të bëjë të mundur ngritjen e Kushtetueses, pasi KED ende nuk i ka dërguar rankimin e kandidatëve Kuvendit dhe Presidentit.
Ndërsa nga ana tjetër Gjykata e Lartë duhet t’i rikthehet vetë normalitetit që të bëjë Kushtetuesen funksionale.
Për këtë arsye shkarkimi i Ilir Metës do të jetë një kalvar i gjatë procedurash për Partinë Socialiste.