MENU
klinika

Vijojnë hetimet

Zbulohet shkaku i vërtetë i vdekjes së Sala!

14.08.2019 - 19:19

Agjencia e hetimeve e Uk Air Accidents ka zbuluar detaje të reja në lidhje me aksidentin ajror që i kushtoi vdekjen sulmuesit argjentinas Emiliano Sala.

Sipas analizave të fundit, 28-vjeçari mësohet të jetë ekspozuar ndaj një sasie të madhe monoksid karboni, që ka shkaktuar edhe humbjen e ndjenjave të pilotit David Ibbotson, ashtu si edhe aksidentin fatal të 21 janarit.

Testet e zhvilluara në trupin e Emiliano Sala kanë treguar praninë e një sasie të madhe të monoksidit të karbonit në gjak, sasi kjo që mund të ketë shkaktuar humbjen e ndjenjave ose edhe një arrest kardiak.

Hetuesit mendojnë, edhe pse mbetet akoma për t’u sqaruar, se edhe piloti është helmuar me monoksid karboni.

Megjithatë, trupi i Ibbotson nuk është gjetur akoma, por në këtë pikë dyshohet se rënia e avionit në det është shkaktuar pikërisht nga ekspozimi i pilotit ndaj gazit helmues.

Rikuperimi i avionit

“Sasia e monoksidit të karbonit që është gjendur në gjakun e Emiliano Sala ngre pikëpyetje të reja”, ka thënë avokati i familjes Sala për Daily Mail.

“Shkaku i vdekjes do të përcaktohet nga hetimet që po zhvillohen aktualisht. Familja e Emiliano-s mendon se duhet ta dijë sesi është e mundur që monoksidi i karbonit ka depërtuar në kabinën e avionit. Familja e lojtarit kërkon që mjeti të rikuperohet sa më shpejt”.