Pasi u mendua gjatë dhe reflektoi për shumë ditë, Dani Alves ka vendosur të kthehet në shtëpi duke lënë përfundimisht Europën.
Futbollisti më i titulluar në botë, është kthyer në Brazil aty ku do të mbajë veshur fanellën e Sao Paulos.
Klubi trikolor ka zyrtarizuar lajmin ndërsa ka bërë të ditur edhe se Dani Alves ka firmosur një kontratë për 3 vite e gjysmë deri në 30 dhjetor të vitit 2022, periudhë në të cilën mbrojtësi i krahut të djathtë do të jetë plot 39-vjeç gati për të varur këpucët në gozhdë.
Presidenti i klubit Paulistë Carlos Augusto de Barros ka shprehur gjithë kënaqësinë e tij për afrimin e një lojtari kaq të rëndësishëm në faqen e klubit duke nënvizuar se i kishte premtuar Dani Alvesit se një ditë do të luante për Sao Paulon.
Lojtari më i mirë i Copa America 2019-të, tashmë është pjesë e Sao Paulos dhe do të tentojë të fitojë të tjerë trofe me këtë skuadër. Në Brazil, Sao Paulo do të jetë skuadra e dytë e Dani Alves pas Bahias skuadrës së vendlindjes së tij ku hodhi hapat e parë në karrierë.
Te Sao Paulo, Dani Alves do të mbajë veshur fanellë me numër 10.