Fransua Rene dë Shatobrian (François René de Chateaubriand) jetoi tetëdhjetë vjet histori të Francës, kaloi regjimet politike, udhëtoi në çdo kontinent dhe arriti t’i ndërthurë këto përvoja me kohën e reflektimit dhe shkrimit.
Shkrimtar romantik dhe politikan francez, ai konsiderohet si një nga figurat qendrore të romantizmit francez dhe letërsisë franceze në përgjithësi.
Shkrimtar, politikan, udhëtar, figurë poliedrike bë shoqërinë franceze të fillimshekullit XIX, i cili pati një ndikim të thellë në rininë e epokës ku jetoi, Shatobriani lindi më 4 shtator 1768, në Sën-Malo të Francës. Fillimisht ishte përkrahës i revolucioni, mirëpo mandej në pamundësi për të bërë një zgjedhje midis kishës dhe marinës, ai u distancua nga revolucioni francez dhe shkoi në Amerikë.
Pas rikthimit në atdhe, vakia e dyfishtë, e nënës dhe e motrës, e nxiti që të shkruante “Gjenia e Krishterimit”, çka bëri që më pas t’ia kushtonte jetën letërsisë dhe politikës. Kështu, ai emërohet sekretar ambasade nga Napolon Bonapartti, por gradualisht distancohet nga jeta politike dhe i kthehet përsëri të shkruarit.
Shkrimet e tij përfshijnë vepra udhëtimesh, ese mbi katolicizmin, histori dhe kujtime perosnale, “Kujtimet e Përtejvarrit”, në të cilat dëshmon se është pararendësi i madh i romantizmit francez.
Diplomat dhe historian, Shatobrian mbetet i famshëm për stilin e zjarrtë të romaneve të tij, por edhe për kryeveprën “Gjenia e Krishterimit” (1802) apo “Kujtimet e Përtejvarrit” (1849). Viktor Hygo e admironte mënyrën e të shkruarit të tij. “Gjenia e krishterimit”, një mbrojtje e besimit katolik, doli në shtyp në vigjilje të rivendosjes së fesë katolike në Francë nga Napoloni.
Në rrugëtimin e gjatë të jetës, në kapërcyellin e shekujve XVIII dhe XIX ai kaloi nëpër periudha historike dhe politike nga më të ndryshmet, mbajti pozicione të rëndësishme politike, si Konsull i Francës, Ministër i Punëve të Jashtme, Ambasador në Romë dhe, natyrisht, shkrimtar. Përveç karrierës letrare, Shatobrian ushtroi poste të spikatura politike, përfshirje e cila rezultoi dhe në shkrimin e veprave historike.
Pas gjashtë muajsh si ambasador në Berlin në 1821, Shatobrian u bë ambasador në Londër në 1822. Ai përfaqësoi Francën në Kongresin e Veronës në 1822 dhe shërbeu si Ministër i Punëve të Jashtme nën kryeministrin ultra-mbretëror Zhozef, deri në 1824. Viskonti Shatobrian ka qenë një nga përfaqësuesit më të spikatur të reaksionit kundër ideve të Revolucionit Francez, si dhe figura më e shquar e letërsisë frënge në periudhën e Perandorisë së Parë. Gjatë qëndrimit në Paris, ai pati rastin të takohet me figurat më të shquara të jetës letrare dhe jo vetëm të kohës së tij, për të cilët shkrimtari shkroi portrete mbresëlënëse në kujtimet e veta.
Ndonëse në etapat e para të revolucionit nuk qe kundërshtar i tij, Shatobriani mbeti i tronditur nga teprimet e mëpasme. Këmbëngulja në idetë vetjake e detyroi të largohet për në Amerikë në pranverën e vitit 1791. Më 1792, me të mësuar rreth arrestimit të Luigjit XVI, ai u kthye në atdhe dhe u martua me Selest Byiso dë Lavinj (Céleste Buisson de Lavigne). Vepra “Atala, ose Dashuritë e dy të egërve në shkretëtirë”, u botua më 1801, dhe falë stilit të shkëlqyer, elokuencës së zjarrtë dhe përshkrimeve të qëlluara, e bëri menjëherë të famshëm autorin.
Po ashtu, në Bibliotekën Kombëtare të Francës, në librin “Album de Chateaubriand” – 1862, gjendet një shkrim i shkurtër në faqen nr.98 me titull: “Chateaubriand malade chez un Albanais” – “Shatobrian i sëmurë tek një shqiptar”.
Shkrimtari, në zhegun e muajit gusht të vitit 1806, niset për vizitë tek një shqiptar që banonte në Kératia, në periferi të Athinës dhe që ishte i njohur i konsullit francez të kryeqytetit grek.
Gjatë udhëtimit, atë e kapin ethet dhe detyrohet të kalojë natën në banesën e shqiptarit. Në vijim, autori rrëfen gjendjen e tij shpirtërore (fizike dhe emocionale) në praninë e bukuroshes shqiptare:
“Të nesërmen, e kalova ditën i shtrirë mbi rrogozin tim, ndërsa të gjithë kishin dalë në ara; edhe vetë Jozefi kishte dalë. Ishte aty vetëm vajza e mikpritësit tim. Ishte një vajzë shtatëmbëdhjetë apo tetëmbëdhjetë vjeçe, mjaft e bukur, që ecte këmbëzbathur dhe në flokë kishte plot medaljone dhe monedha të vogla argjendi. Ajo nuk më shikonte fare dhe punonte sikur të mos isha aty. Dera ishte e çelur dhe nga aty hynin rrezet e diellit. Ishte i vetmi vend i ndriçuar në dhomë. Herë pas here më zinte gjumi. Zgjohesha dhe shihja sërish vajzën shqiptare, të merrej me diçka tjetër, duke kënduar me gjysmë zëri apo duke rregulluar flokët e saj. Ndonjëherë i kërkoja ujë dhe ajo më sillte një vazo të mbushur plot; duarkryq, ajo priste me qetësi të shuaja etjen, dhe pasi kisha mbaruar, ajo më pyeste: Ju bëri mirë? Dhe pastaj kthehej në punën e saj. […].
Historian, gazetar, pamfletist, shkrues kujtimesh, Shatobriani ndoqi përherë nga “Ese historike mbi revolucionet”, në 1797, te “Kujtime të Përtejvarrit”, një reflektim mbi format e qeverisjes, lirinë, evolucionin e shoqërive dhe ideve. Armik i absolutizmit, despotizmit, partizan i një sistemi përfaqësues dhe lirisë së shprehjes, ky monarkist aspiron të ardhmen republikane. Por, përtej sistemeve politike, krishterimi mbetet mbështetja dhe shpresa supreme.
Përballë përparimit teknologjik që po përcakton ardhjen e një shoqërie thjesht materiale, përballë shpërbërjes së rendit të vjetër evropian, vetëm Krishterimi mund të rigjenerojë shoqërinë dhe të lindë të ardhmen.
“Jeta s’më përshtatet, ndoshta vdekja do të jetë më mirë”.
“Lumturia e vërtetë kushton pak; nëse kushton shumë, nuk është cilësi e mirë”.
“Nëse vuan më shumë se të tjerët, mos u çudit, një shpirt i madh ndjen më shumë se një shpirt i vogël”.