MENU
klinika

Dialogu Kosovë-Serbi

A do të ketë emisarë të tjerë?

22.09.2019 - 12:21

Emërimi nga administrata amerikane i Mathew Palmer-it, si i ngarkuar për Ballkanin Perëndimor që do të jetë edhe lehtësues në dialogun Kosovë-Serbi, ka shtuar zërat që edhe Bashkimi Evropian po e shqyrton mundësinë e emërimit të një të ngarkuari special për bisedimet Kosovë-Serbi.

Burime diplomatike nga Brukseli, thonë se gjatë muajit tetor kjo çështje do të diskutohet ndër strukturat e reja të BE-së.

Shefi i ri i diplomacisë evropiane, Jozep Borrel, i cili pason Federika Mogherinin, që ndërmjetësoi dialogun Kosovë-Serbi, vjen nga Spanja, shteti që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe sipas analistëve në Prishtinë, kjo e bën shumë delikate situatën, nëse zoti Borrel mund ta ndërmjetësojë dialogun Kosovë-Serbi.

Pikërisht kjo ka bërë që në qarqet e BE-së të flitet gjithnjë e më shumë që gjatë muajit tetor, pas konfirmimit të spanjollit Jozep Borrel nga Parlamenti Evropian si shef i diplomacisë evropiane, që ai ta emërojë një të dërguar special të BE-së, për dialogun Kosovë-Serbi.

Në mediet në Prishtinë shkruhet se edhe Gjermania mund ta emërojë një të dërguar special në dialogun Kosovë-Serbi, por kjo tash për tash është hedhur poshtë nga ambasada gjermane në Prishtinë, e cila thotë se ky proces duhet të ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Gjermania e mbështet dhe ndjek nga afër dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën kujdesin e Bashkimit Evropian. Gjermania do të vazhdojë ta bëjë këtë përzemërsisht me Komisionin e ri të Bashkimit Evropian”, kanë thënë zyrtarë të ambasadës për mediet lokale.

Edhe njohësi i çështjeve në Ballkan, Naim Rashiti nga Instituti për Politika Ballkanike, i tha DW-së, se ai “nuk mendon se Gjermania do ta emërojë një të dërguar special për dialogun, sepse Gjermania dhe Franca, duan ta ruajnë kredibilitetin e BE”.

“Gjermania është e interesuar që të ketë sukses, një marrëveshje Kosovë-Serbi si një lloj shpërblimi për përmbylljen e mandatit të zonjës Merkel. Gjermania do të udhëheqë me BE-në në pjesën e dytë të vitit 2020 dhe pastaj Gjermania pas vitit 2020, do ta kryesojë edhe Këshillin e Sigurimit dhe ajo është e interesuar që procesi i dialogut Kosovë-Serbi të marrë një përmbyllje gjatë këtyre viteve, kur ka një rol të shtuar të Gjermanisë.

Unë mendoj që Gjermania do të kërkojë nga Jozep Borrel, shefi i ri i diplomacisë evropiane që të emërojë një përfaqësues të lartë të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, ndërsa çështje tjetër mbetet koordinimi SHBA-BE në këtë dialog”, thotë Naim Rashiti.

Analisti Rashiti ka dyshime nëse Jozep Borreli, mund të jetë i përfshirë në dialogun Kosovë-Serbi për këto arsye:

“Nëse shefja e deritashme e BE-së, Federika Mogherini, Gjermania, Franca, përkatësisht zonja Merkel dhe Presidenti Macron, nuk arritën që të rifillojnë dialogun Kosovë-Serbi, është pak e besueshme që tash Jozep Borrel do t’i bindë vetë palët që ta rifillojnë dialogun dhe kjo për mua përbën skepticizëm për fazën e ardhshme të dialogut”, thotë Naim Rashiti.

Ndërkohë, një ekspert tjetër amerikan për Ballkanin nga Qendra për Analiza të Politikës Evropiane, Janos Bugajski, thotë se nëse Bashkimi Evropian emëron emisar special për dialogun Kosovë-Serbi, ai patjetër duhet të punojë ngushtë me emisarin amerikan Mathew Palmer, duke koordinuar veprimet dhe duke pamundësuar kështu që edhe Rusia të kërkojë një ndërmjetës të vetin në këto bisedime.

“Nëse emërohet një emisar special i BE-së për Ballkanin ai duhet të punojë ngushtë me Mathew Palmer, të jenë në një linjë dhe të kenë të njëjtin qëllim. Të gjitha marrëveshjet në rajon janë realizuar deri tash pikërisht për faktin që rusët nuk kanë qenë të përfshirë. Çdo përfshirje e tyre do të nënkuptonte sabotim të procesit dhe të çfarëdo lloj marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Një marrëveshje ndërmjet të dyja vendeve do të duhej të rezultonte me njohje reciproke”, tha Janos Bugajski në një intervistë për mediat publike në Kosovë.

Kosova në këtë fazë është në periudhë zgjedhjesh që do të mbahen me 6 tetor. I ngarkuari amerikan për Ballkanin Methew Palmer, ka deklaruar se ai do ta bëjë të qartë se “pritshmëria e tij nga qeveria e ardhshme e Kosovës është një qeveri pro dialogut, e gatshme të pezullojë taksat ndaj mallrave serbe, të cilat janë pengesë për rifillimin e procesit të dialogut, ta formojë një ekip negociator të fuqizuar, i gatshëm të angazhohet me Serbinë në tryezën e bisedimeve me seriozitetin e qëllimit për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, ka deklaruar Palmer.

Sipas tij, pezullimi i taksave ndaj mallrave të Serbisë dhe fundi i fushatës diplomatike serbe për bllokimin e njohjeve të Kosovës është një bazë e mirë që palët të kthehen në tavolinën e bisedave drejt arritjes së një marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi.

Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian u ndërpre në nëntorin e vitit të kaluar kur qeveria e Kosovës vendosi taksë 100% ndaj mallrave serbe. Kjo masë e Prishtinës ishte si kundërpërgjigje ndaj fushatës diplomatike të Serbisë kundër dhe për tërheqjen e njohjeve të Kosovës.

Analistët në Prishtinë thonë se emërimi i Matthew Palmer, si i ngarkuar amerikan për Ballkanin perëndimor, tregon qartë se Shtetet e Bashkuara duan të përfshihen shumë më tepër në zgjidhjen e problemit Kosovë-Serbi dhe kjo çështje të zgjidhet para përfundimit të mandatit të administratës së Donald Trump-it.

Dhjetëra sinjalizime për korrupsion dhe shpërdorim detyre

REL: Kurti erdhi në pushtet me premtimin për “duar të pastra”, por…

Nënshkrimi i marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Kosovës

Albin Kurti: Kur bëhemi bashkë, edhe punët janë më të mira

Rindezja e konfliktit me Kosovën dhe rindërtimi i qeverisë

Vuçiç po përpiqet të largojë vëmendjen nga protestat