Qeveria në dorëheqje ka paralajmëruar se do ta tërheqë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë – INTERPOL në qoftë se krijohet situatë e pafavorshme.
Zyrtarë të kësaj Qeverie thonë se Kosova nuk dëmtohet edhe nëse tërhiqet.
Më pak se një muaj (15 -18 tetor) na ndajnë nga Kuvendi i Përgjithshëm i INTERPOL-it, i cili do të mbahet në Kili.
Mirëpo edhe pse Kosova tashmë ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare, Qeveria në dorëheqje e Kosovës po paralajmëron tërheqjen nga votimi, njëjtë sikurse kishte bërë në vitin 2017 nga frika se nuk do të arrihet të sigurohen votat e nevojshme.
Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme kanë deklaruar se do ta pezullojnë votimin po qe se rrethanat nuk janë të favorshme për Kosovën, shkruan Zëri.
Në anën tjetër, përfaqësues të qeverisë në dorëheqje konsiderojnë se Kosova nuk dëmtohet edhe nëse tërhiqet për sivjet.