Autori i miliona kopjeve të shitura në mbarë botën dhe përkthyer në më shumë se 50 gjuhë, i njohur si Antiitaliani, mbi të gjitha një simbol në botën e luftës kundës Gamorrës, sot mbush 40-vjeç. Roberto Saviano është ndër gazetarët, eseistët dhe aktivistët më të mëdhenj në Itali dhe Evropë në luftën kundër mafies. Lindi në Napoli më 22 shtator 1979, në moshën 26-vjeç botoi bestsellerin “Gomorra”, bashkëpunëtor aktiv me gazetat “La Repubblica”, “L’Espresso”, “Times”, “Washington Post”, “El Pais” etj./Konica.al
Gazetari dhe shkrimtari italian, Roberto Saviano u bë i famshëm në mbarë botën pas publikimit të romanit hetimor “Gomorra” në vitin 2006. Udhëtimi në perandorinë e ekonomisë dhe ëndrra e dominimit nga Gomorra, në të cilin, duke shkruar në vetën e parë, ai rrëfeu realitetin e botës që sillet rreth veprimtarive të Gomorrës, bëri që shkrimtari të jetë vazhdimisht nën trysninë e kërcënimeve me vdekje të marra për botimin e librit. Si rrjedhojë, ngaqë nuk dinte të heshte për krimet e mafies italiane, ai jeton nën mbrojtjen e përhershme të policisë që nga viti 2006. Të shumtë janë shkrimtarët që e kanë mbështetur dhe kanë nënshkruar peticione në mbrojtje të tij. Njëri prej tyre, Umberto Eko, shprehej se napolitani Roberto Saviani është një hero modern i Italisë. Paradoksalisht, sa më i famshëm bëhet, aq më e rëndësishme është që të jetë “i padukshëm”.
Edhe pse nën mbikëqyrje 24-orësh, shkrimtari vijon të shkruajë dhe të ngrejë zërin kundër padrejtësive. Ndër veprat e tij të mëvonshme, disa kanë gjetur sukses të veçantë. Disa nga librat që duhet të lexoni, për të njohur më nga afër rrëfimin dhe mendimin e Savianos, janë:
“Gomorra” (2006) – në prill të vitit 2006, shtypi italian u trondit nga një bestseller i bujshëm dhe i papritur, që shpejt u shndërrua në një tërmet kulturor, shoqëror dhe civil: “Gomorra”. Një libër anormal, në të cilin Roberto Saviano sfidon Gamorrën, si askush nuk kishte bërë më parë, duke ndërthurur ashpërsinë e studiuesit, guximin e gazetarit hetues dhe, mbi të gjitha, dashurinë e dhimbshme për një qytet nga i cili u lind dhe u rrit. Për ta shkruar me sa më origjinalitet, ai u zhyt në “Sistem” dhe hulumtoi fytyrat e tij të shumta. Ai zbuloi se si midis grupeve të lagjeve dhe financave ndërkombëtare, një organizatë kriminale mund të mbajë një rajon të tërë, duke lidhur markat luksoze, trafikimin e drogës, deponimin e njerëzve të paskrupullt dhe tregun e armëve. “Gomorra” është një libër i fuqishëm, apasionant dhe brutal, një udhëtim tronditës në një botë ku fëmijët mësojnë të vrasin që në moshën dymbëdhjetëvjeçare dhe ëndërrojnë të vdesin nga plumbi, aty ku helmet përdoren si kavje për të testuar droga të reja etj. Faqet e këtij libri e mbërthejnë lexuesin dhe e tërheqin atë në një humnerë ku asnjë imagjinatë nuk mund të arrijë.
Një tjetër libër i suksesshëm është edhe “Zero zero zero” (2013) – “Shikoje kokainën, do të shohësh pluhur, shiko përmes kokainës e do të shohësh botën”. Sipas Savianos, kokaina e cilësisë më të mirë njihet si “zero zero zero”. Pse? “Pluhuri më i mirë në treg, i butë, i lehtë, njihet me këtë emër sepse nuk ka papastërti, është pa përzierje”, – thotë Saviano.
“Banda e fëmijëve” (2016), “Puthje vdekjeprurëse” (2017), “Në det nuk ekzistojnë taksi” (2019), “Eja me mua” etj.
Shpesh i mbiquajtur “nervoz, i paarritshëm, shumë i dyshimtë”, por njëkohësisht me gjestet e tij fëmijërore të krijon përshtypjen e një njeriu të brishtë dhe sfidues, autori i vijon pareshtur luftimet e tij kundër mafies italiane.
“Po të jetosh i mbyllur si kafshë, herët a vonë do të kthehesh në kafshë. Jeta ime nuk është e imja. Duket sikur çdo njeri përpiqet të më mashtrojë dhe jam gjithë kohën në ruajtje”, – shprehet Saviano./Konica.al