MENU
klinika

Strategjia e Turizmit të Bashkisë Elbasan

Balla: Ta përkthejmë në përfitim ekonomik për sipërmarrjen!

28.09.2019 - 11:24

Bashkia e Elbasanit organizoi konferencën “Strategjia e Turizmit të Bashkisë së Elbasanit 2019-2023” ku merrnin pjesë përfaqësues të pushtetit vendor e atij qëndror, përfaqësues të operatorëve turistikë, biznesit, studiues etj.

Me një potencial të jashtëzakonshëm turistik, por ende shumë larg asaj ku duhet të jemi në këtë drejtim, konferenca u cilësua me mjaft interes për të vënë piketat e duhura dhe për të nisur një punë konkrete në ditët, muaj dhe vitet në vijim.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla tha se pavarësisht aseteve të mëdha që ka Elbasani, ato ende nuk janë mundur të shfrytëzohen.

Sipas tij, Bashkia e Elbasanit duhet të drejtohet nga filozofia e zhvillimit të turizmit.

“Tema e takimit të sotëm është një temë për të cilën duhet të bëjmë tërësisht një qasje tjetër në ditët në vijim. Edhe pse Elbasani ka një portofol shumë të rëndësishëm asetesh kulturore, arkeologjike, të mira të natyrës, ne ende nuk kemi arritur t’i shfrytëzojmë këto, për ta shndërruar Elbasanin në një destinacion të rëndësishëm të formave të ndryshme të turizmit.

Turizmi nuk është vetëm një vizitë në kala; turizmi në Elbasan nuk është as të mirat që burojnë nga ujërat termale; turizmi nuk është as të ngjitesh në Gjinar, apo në Zavalinë, apo në Funar, por turizmi duhet të jetë një politikë e cila duhet të drejtojë dhe të orientojë tërësisht të gjithë filozofinë e drejtimit të bashkisë nga ana e Gledit dhe e Këshillit Bashkiak, jo në 4 vitet e ardhshme, por në 10 vitet e ardhshme. Ne kemi detyrën ta shndërrojmë Elbasanin në një destinacion të rëndësishëm.

Nuk ka asgjëkundi kala fushore si e jona, në të cilën gjenden 4 objekte kulti, që është shprehja më kuptimplotë e bashkëjetesës ndërfetare në Elbasan, e skalitur fort ndër shekuj. E gjitha kjo ka kontribuar dhe kontribuon në përgatitjen e një portofoli të rëndësishëm turistik.
Bashkia Elbasan duhet të përfshijë në portofolin e vet dhe bashki të tjera të qarkut. Pra, zhvillimi i agroturizmit në Belsh duhet të jetë pjesë e portofolit të turizmit të Elbasanit.

Unë e gjej me mjaft rëndësi këtë iniciativë të ndërmarrë nga kryetari i ri i bashkisë Gledi, por edhe në drejtimin e kryetarit Sejdini është bërë një punë shumë e mirë për promovimin e aseteve tona turistike, por tani duhet ta përkthejmë në përfitim ekonomik për sipërmarrjen e Elbasanit, nëse përfiton sipërmarrja, përfiton populli i Elbasanit”, tha Balla.

Kryetari i Bashkisë Gledjan Llatja vuri theksin të strategjia që bashkia e Elbasanit do të ndjekë në vitet në vijim për t’i dhënë një hov turizmit.

“Kemi potenciale të mëdha turistike në Bashkinë e Elbasanit, por jo vetëm dhe për këtë kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me bashkitë e tjera për të bërë të mundur zgjerimin e hartës tonë turistike.
I rëndësishëm është bashkimi i operatorëve tonë turistikë dhe i faktorëve që kanë potencial turistik.

Kemi zona turistike shumë të bukura në Elbasan, kemi pasuri turistike dhe kulturore të cilat duhen shfrytëzuar.
Jemi sot të gjithë bashkë në hartimin e një strategjie e cila do të ndihmojë Bashkinë e Elbasanit. Kemi një vizion për zhvillimin, për shfrytëzimin e potencialeve që në kemi dhe koordinimin mes njëri tjetrit.

Bashkia e Elbasanit për buxhetin e ardhshëm do t’i kushtojë një rëndësi të veçantë zhvillimeve të vogla që lidhen me turizmin sidomos për sa i përket produkteve artizanale.”, tha Llatja

Në tryezë merrnin pjesë përfaqësues të operatorëve turistikë, përfaqësues të bisnesit, studiues, arkeologë etj.

Ata dhanëmendimet e gjykimet e tyre mbi rëndësinë e zhvillimit të turizmit dhe pikat kyçe ku duhet të fokusohet ai duke nisur që nga “Via Egnatia”, ujërat termale, pasuritë natyrore, etj.