Barcelona vuan por në fund mposht 2-1 Villarealin dhe rikthehet te fitorja në La Liga.
Katalanasit janë ngjitur në kuotën e 10 pikëve, një më pak se Reali kryesues që ndeshjen e kësaj jave e luan të mërkurën ndaj Osasunës.
Në Camp Nou Barça iu fal dy golave shumë të bukur të realizuar nga Griezmann me kokë nga një pozicion shumë i prirët dhe Arthur Melo me një goditje nga distanca në 15 minutat e para për të thyer nëndetsen e verdhë.
Në fundin e pjesës së parë Villareali u rikthye në ndeshje me kryeveprën e Santi Cazorlas që vitet e shumta mbi shpinë duket sikur po e rinojnë.
Megjithatë në pjesën e dytë Barça iu afrua në shumë raste golit të tretë por edhe mund ta kishte pësuar nga Villareali që gjithsesi u largua nga Camp Nou pa pikë pavarsisht lojës së mirë.
Lajmi i keq për Barçën ishte dëmtimi i Messit që për probleme muskulare në fillim të pjesës së dytë i la vendin të rikthyerit Dembele që gjithashtu vinte nga një dëmtim.