MENU
klinika

Arrihet marrëveshja

Bujqësi/ S’ka barriera më mes Shqipërisë dhe M. së Veriut

26.09.2019 - 17:39

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të nënshkruajnë marrëveshjen që lehtëson kontrollet e eksporteve bujqësore mes dy vendeve. Takimi që pati sot ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, me homologun nga Maqedonia e Veriut, Trajan Dimkovski, ka qenë lidhur me Marrëveshjen e Bashkëpunimit Fitosanitar që do të finalizohet brenda këtij viti.

Çuçi u shpreh se Shqipëria ka një lidhje të fortë me Maqedoninë e Veriut dhe dy vendet kanë një synim të përbashkët në rrugën e integrimit europian.

“Pika më e rëndësishme e axhendës tonë dhe që kemi ardhur fazën ku duhet t’i japim zgjidhje, duke mos e zvarritur më, lidhet me Marrëveshjen e Bashkëpunimit Fitosanitar mes dy vendeve. Janë bërë hapa përpara që pas takimit të fundit në nivel ministrash duke e ulur nga 100% në 20% kontrollin e analizave fitosanitare. Ka ardhur koha që edhe këtë 20% ta rishikojmë”, tha ministri Çuçi.

Më tej ministri i konstatoi homologut të tij problemin e eksportit të qumështit UHT nga Shqipëria në Maqedoninë e Veriut, duke i përmendur disa kompani të ndryshme shqiptare me standarte të larta që po hasin vështirësi nga autoritetet e vendit fqinj për të shitur produktet e tyre.

Çuçi gjithashtu shtroi dhe edhe dy probleme të tjera që kanë të bëjnë me eksportin e kafshëve të gjalla drejt Maqedonisë së Veriut dhe administrimin e përbashkët të dy liqeneve kufitare në lidhje me peshkimin.

“Ne importojmë kafshë të gjalla nga Maqedonia e Veriut. Sinqerisht nuk e kuptoj përse kemi pengesa për të patur qarkullimin e kundërt; eksportin e kafshëve nga Shqipëria në vendin tuaj. Ka ardhur koha që të kemi një marrëdhënie reciproke të shëndetshme në lidhje me këtë lëvizje”, u shpreh Çuçi.

Në përfundim të takimit, të dy ministrat u dakordësuan që tre grupe pune të ndjekin këto çështje në nivel teknik dhe më pas të arrihet nënshkrimi i marrëveshjes mes dy vendeve.