MENU
klinika

Nga Deutsche Welle

Bushati thirrje politikës: Duhet pakt kombëtar për Europën

30.09.2019 - 16:13

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati në një intervistë për Deutsche Welle ka folur për procesin e integrimit të Shqipërisë, për të cilin kërkoi miratimin e një Pakti Kombëtar.

Bushati ka folur gjithashtu dhe për pritshmëritë që duhet të kemi në tetor dhe zgjidhjen e ngërçit politik në vend.

Ai ka folur dhe për raportet me Kryeministrin Rama dhe vazhdimin e qëndrimit të PS, pas qëndrimeve kritike që ka mbajtur brenda selisë rozë.

Bushati ka folur për reformimin të thellë politik në mënyrë që të shmangët vetëshkatërrimi i PS-së.

“Sot mendoj më shumë se asnjëherë tjetër se është përgjegjësia ime për të vazhduar për të kontribuar për projektin e Partisë Socialiste, sepse është një familje e madhe politike e socialistëve dhe e progresistëve shqiptarë. Fakti që sot për sot kam artikuluar jo vetëm brenda strukturave të Partisë por edhe publikisht disa qëndrime që mund të përceptohen si disi të ndryshme me qëndrimet e udhëheqjes së Partisë Socialiste nuk do të thotë që kam një projekt tjetër përveçse kontributit brenda Partisë Socialiste. Unë besoj se vetëkorrigjimi është një proces fiziologjik i domosdoshëm për çdo forcë politike, sidomos kur je në vitin e shtatë të qeverisjes sepse vetëkorrigjimi do të parandalonte një lloj vetëshkatërrimi”, thekson ai.

Z.Bushati, Bundestagu gjerman i tha “PO” hapjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, por me disa kushte. A është ky një lajm i mirë për shqiptarët?

Ditmir Bushati: Ky është një proces ndërmjet Bundestagut gjerman dhe qeverisë federale. Me pak fjalë, Bundestagu gjerman përcaktoi vijën e sjelljes që qeveria gjermane do të duhet të respektojë në raport me vendet e tjera anëtare të BE-së, kur të trajtojnë çështjen e fillimit të bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë. Në këtë kontekst, Bundestagu dhe Gjermania përqafojnë një qasje të kushtëzuar dhe të përshkallëzuar. Nuk duhet të na bëjë shumë përshtypje sepse përgjithësisht procesi i zgjerimit është i shoqëruar me elementë të kushtëzimit demokratik dhe në këtë kontekst është e rëndësishme që ne, këto kushtëzime, t’i kthejmë në një plan konkret pune dhe të kuptojmë që përgjegjësia në këtë proces apo barra në këtë proces është kryesisht e qeverisë dhe e mazhorancës që drejton vendin, por nga ana tjetër opozita duhet të kuptojë që përgjegjësia në këtë proces është e përbashkët. Besoj se më shumë se sa të futemi në një debat apo rivalitet se ndaj kujt drejtohen kushtet e Gjermanisë dhe Bundestagut gjerman është momenti përcaktues për të ndërtuar një Pakt Kombëtar për Europën. Një Pakt Kombëtar për Europën që shtrihet përtej kushtëzimeve të Bundestagut gjerman sepse po të lexojmë dokumentin, dokumenti nuk ka të bëjë thjesht vetëm me fillimin e bisedimeve për anëtarësim dhe punën konkrete për hapjen e kapitujve për anëtarësim, por është një dokument që do ta shoqërojë deri në fund procesin e anëtarësimit të Shqipërisë. Ndaj, na duhet që përmes këtij Pakti Kombëtar për Europën që shkon përtej partive politike, ne të kemi mundësi që të përcaktojmë objektivat, strategjinë, burimet njerëzore, përfshirë shqiptarët e diasporës, burimet financiare të paktën për dekadën e ardhshme për këtë proces.

Çfarë duhet të presim deri në tetor?

Ditmir Bushati: E para, nuk duhet të presim asgjë. Ne do të duhet që t’i kishim bërë punët tona, sepse edhe po të mos ekzistonin fare kushtëzimet e Bundestagut gjerman, edhe sikur të mos ekzistonin fare kriteret e Kopenhagenit për anëtarësimin në Bashkimin Europian, besoj është nevoja e brendshme jona për të ndërtuar një shoqëri europiane këtu. Për të ndërtuar një shoqëri të së drejtës dhe jo një shoqëri tregu; për të ndërtuar një shoqëri që bazohet tek ekonomia e dijes dhe jo një shoqëri që bazohet tek krahu i lirë i punës; për të ndërtuar një kapitalizëm demokratik ku i jepet mundësia secilit të ofrojë më të mirën dhe jo një kapitalizëm grabitqar. Deri tani, për fat të keq, ne këtë proces e kemi trajtuar si një çështje kushtëzimesh dhe shumë pak e kemi trajtuar si një çështje që ka të bëjë me standardet e prekshme të jetës tonë në praktikë. Prandaj mendoj se sa më shpejt që të dalim nga labirinthi i vetëmashtrimit, aq më shumë do të kemi mundësi për t’i ofruar qytetarëve tanë një perspektivë të prekshme në këtë drejtim.
Dhe këtë gjë duhet ta bëjmë ne! Do të ishte iluzive që të mendonim që vendet e tjera anëtare të BE-së apo institucionet europiane apo miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë, sado ta duan Shqipërinë, nuk mund të bëjnë diçka që do të duhet ta bëjmë ne. Nuk duhet të harrojmë që BE-ja e sotme nuk është në ditën e saj më të mirë, sepse nga njëra anë ne shohim Gjermaninë që ka një qëndrim kushtëzues të përshkallëzuar, siç i takon në fakt një partneri të ndershëm dhe kritiku të drejtë siç është Gjermania – një vend i cili jo vetëm është lokomotiva kryesore e Bashkimit Europian por ka një analizë dhe qasje molekulare ndaj të gjitha zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor – dhe nga ana tjetër kemi Francën që kërkon të ketë një diskutim më strategjik për zgjerimin, për të ardhmen e Bashkimit Europian, dhe pse jo, për ta ngadalësuar këtë proces derisa të reformohet Bashkimi Europian. Dhe në këtë lloj situate, ne duhet të bëhemi të vetëdijshëm dhe duhet të kapim trenin e radhës dhe të kuptojmë që shanset nuk janë aty përgjithmonë.

Kryeministri grek ka specifikuar që nuk ka hapje negociatash për Shqipërinë pa u zgjidhur problemet e minoritetit grek në Shqipëri. Ndërkohë që Greqia është një shtet me të cilin ju patët një sërë negociatash në kohën kur ishit ministër i Jashtëm, një prej tyre dhe ndër më kryesoret, edhe marrëveshja për detin…

Ditmir Bushati: Është e vërtetë që vjet, Greqia sëbashku me Italinë, kanë qenë dy prej vendeve të cilat u bënë promotorët kryesorë të advokimit të fillimit të bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe kjo është edhe arsyeja pse u përshëndetën publikisht nga ana e kryeministrit dhe nga ana e qeverisë shqiptare. Gjithmonë kam besuar dhe besoj që është në interesin e fqinjëve që të kenë një marrëdhënie të mirë me njëri-tjetrin, të kultivojnë një marrëdhënie sa më të mirë me njëri-tjetrin. Nuk besoj që është në dëshirën por as në interesin e Greqisë për të kushtëzuar apo penguar avancimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Sikundër mendoj që standardet që janë arritur përsa u përket të drejtave të pakicave kombëtare, përfshirë pakicën greke, e cila është një pakicë e respektuar, janë ato standarde që janë arritur edhe falë avancimit të Shqipërisë nëpër organizmat ndërkombëtare, si anëtarësimi në Këshillin e Europës, apo fakti që Shqipëria është vend kandidat në Bashkimin Europian. Në këtë kontekst, mendoj që fillimi i bisedimeve për anëtarësim në BE do të jetë një mundësi e mirë, në radhë të parë edhe për Greqinë, për ta ndihmuar vendin tonë për të zbatuar këto standarde. Sikundër besoj fuqimisht që çështjet që ne i kemi trajtuar me qeverinë greke në paketë, që janë çështje të marrëdhënieve dypalëshe janë më shumë sesa thjesht çështja e pakicës kombëtare greke në Shqipëri. Janë çështje që e kanë origjinën tek ligji i Luftës që është ende në fuqi. Pra, nga çështjet e karakterit historik që prodhojnë pasoja edhe sot, e për të shkuar me radhë tek çështjet e aktualitetit. Në këtë kontekst, është e rëndësishme që çështjet në paketë të vazhdojnë në mënyrë që të adresohen në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe me shpirtin europian që duhet të karakterizojë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Këshilltari i Komisionit Amerikan të Helsinkit, z.Robert Hand, deklaroi në një intervistë pak kohë më parë që ndryshimet e bëra në ministrinë e Jashtme shqiptare mund ta bëjnë paksa skeptik në lidhje me marrjen e presidencës së Shqipërisë për drejtimin e OSBE-së në vitin 2020. Çfarë komenti keni?

Ditmir Bushati: Marrja e drejtimit të OSBE-së nga ana jonë është një prej fitoreve të mëdha të politikës së jashtme, por jo vetëm, pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Marrja e drejtimit të OSBE-së është një mundësi e artë për Shqipërinë. Jo vetëm për të testuar kapacitetin tonë ndërveprues, në kuptimin politik të fjalës, me vende të kësaj organizate, por edhe për të konfirmuar pozicionin tonë si pol stabiliteti në rajon. Natyrisht që është një fitore historike, e cila duhet shoqëruar gjithashtu me veprime konkrete në praktikë. Duhet të krijojmë një platformë të qartë politike konsensuale duke përfshirë të gjitha institucionet e shtetit shqiptar por jo vetëm, në veprimtarinë gjatë kryesimit të OSBE-së. Dhe duhet të jetë një proces i cili të krijojë një impakt pozitiv, të drejtëpërdrejtë, në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian nga njëra anë, dhe në fitimin e vendit jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, nga ana tjetër. Besoj që së pari tejkalimi i situatës politike dhe ndasive të theksuara në Shqipëri dhe fuqizimi i kapacitetit dhe veprimit politik e diplomatik mund ta kthejnë drejtimin e OSBE-së nga ana e Shqipërisë në një histori suksesi.

Le të ndalojmë pak tek situata politike në vend dhe jo tek ajo mes qeverisë dhe opozitës, por tek debatet që keni pasur kohët e fundit me kryetarin e Partisë Socialiste, në lidhje me personat e inkriminuar brenda PS-së së qarkut Shkodër. Z.Rama e ka cilësuar këtë si përgjegjësi tuajën, si drejtues politik i këtij qarku…

Ditmir Bushati: Ne kemi pasur një diskutim në Kryesinë e Partisë Socialiste për situatën që u krijua në Shkodër pas 30 Qershorit. Do të vazhdojmë që të kemi një diskutim dhe një analizë më të thelluar në këtë drejtim. E kam thënë dhe mbroj të njëjtën pikëpamje sipas së cilës përgjegjësia individuale dhe ligjore duhet të trajtohet e ndarë nga përgjegjësia politike që kemi ne të gjithë si politikanë, por edhe si forcë politike për t’u ofruar qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi njerëzit e duhur që do t’i përfaqësojnë ata në të gjitha institucionet përfaqësuese të shtetit, qoftë në nivelin qendror apo vendor. Është e vërtetë që Partia Socialiste por jo vetëm, edhe forca të tjera politike në të shkuarën janë prekur nga ky virus. Kjo është edhe arsyeja pse miratuam fillimisht një Rezolutë në Kuvendin e Shqipërisë, e më pas kjo rezolutë u përkthye në një ligj të detyrueshëm, i cili është goxha strikt nga pikëpamja e kritereve që parashikon për njerëzit që duhet të zgjidhen. Por ja ku jemi disa vite pas miratimit të këtij ligji. Fakti që kjo lloj “sëmundjeje”, ky lloj “vesi” nuk është trajtuar në rrugën e duhur duhet të na shtyjë të mendojmë që jeta politike në Shqipëri ka nevojë për një reformë më të madhe. Ne nuk duhet të kemi frikë nga gara, në radhë të parë brenda partive tona politike, sepse një garë në politikë përkthehet në më shumë garë në jetën ekonomike të vendit dhe më shumë garë në jetën publike. Prandaj mendoj që reformimi i mëtejshëm i jetës politike do të jetë një “ilaç” edhe për këtë “virus” që ka prekur politikën.

A do të vijoni të jeni pjesë e Partisë Socialiste në të ardhmen apo do të bëheni pjesë e ndonjë projekti të ri politik?

Ditmir Bushati: Unë jam anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste, deputet. E konsideroj veten me fat që kam pasur një mbështetje maksimale nga të gjitha strukturat e Partisë Socialiste, nga socialistët progresistë dhe demokratët që militojnë në Partinë Socialiste. Sot mendoj më shumë se asnjëherë tjetër se është përgjegjësia ime për të vazhduar për të kontribuar për projektin e Partisë Socialiste, sepse është një familje e madhe politike e socialistëve dhe e progresistëve shqiptarë. Fakti që sot për sot kam artikuluar jo vetëm brenda strukturave të Partisë por edhe publikisht disa qëndrime që mund të përceptohen si disi të ndryshme me qëndrimet e udhëheqjes së Partisë Socialiste nuk do të thotë që kam një projekt tjetër përveçse kontributit brenda Partisë Socialiste. Unë besoj se vetëkorrigjimi është një proces fiziologjik i domosdoshëm për çdo forcë politike, sidomos kur je në vitin e shtatë të qeverisjes sepse vetëkorrigjimi do të parandalonte një lloj vetëshkatërrimi. Dhe vetëkorrigjimi nga ana tjetër do të krijonte mundësinë për të rikthyer shpresën që është topitur në disa raste e mund të jetë vrarë në raste të tjera. Në radhë të parë, për ata njerëz që na kanë besuar në projektin tonë që në 2013-ën, pa përmendur këtu edhe të rinj që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e ardhshme. Partia Socialiste i ka të gjitha mundësitë për të qenë promotore e ndryshimit dhe i ka të gjitha mundësitë për të qenë jo vetëm forca e progresit dhe intelektit por edhe forca e komuniteteve. Dhe me këtë dua të them që rasti i Shkodrës na mëson se në procesin vendimmarrës duhet të përfshijmë më shumë njerëzit dhe komunitetet dhe jo t’ia besojmë atë një grupi të ngushtë njerëzish, qoftë edhe drejtuesve politikë të Partisë Socialiste./ DW

“Takim kuqezi me shqiptarët e Britanisë“

Kryeministri Rama mesazh para turit me emigrantët në Londër

Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin