Komisioni për Statusin e Lojtarit pranë FIFA-s ka vendosur që Cardiff City duhet t’i paguajë Nantes një shumë prej 6 milionë eurosh për blerjen e Emiliano Salas.
Argjentinasi, i cili ishte 28 vjeç, humbi jetën më 21 janar pas një aksidenti tragjik teksa po udhëtonte me avion privat nga Franca për t’iu bashkuar klubit të ri.
6 milionë euro është shumë që korrespondon me këstin e parë të shumës së përgjithshme që Cardiffi kishte rënë dakord me Nantes.
Në muajin mars, klubi britanik i kishte bërë kërkesë FIFA-s që të mos e konsideronte të vlefshme marrëveshjen me francezët, që kërkon 18 milionë euro, pasi Sala nuk ishte ende zyrtarisht lojtari i tyre.
Vendimi i FIFA-s u është komunikuar sot të dy klubeve, që do të ketë një afat 10-ditor për ta apeluar vendimin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë të Zvicrës.