Sot e gjithë bota përkujton 18-vjetorin e sulmit ndaj kullave binjake në New York, më 11 shtator 2001.
Sulmi u krye nga një grup prej 19 terroristësh të Al-Qaedas qe morën peng katër avionë. Dy prej tyre u përplasën mbi kullat binjake në Qendrën Botërore të Tregtisë në New York, një i tretë në ndërtesën e Pentagonit, ndërsa i katërti u rrëzua në fushat e Shanksvillit në Pensilvani, pa mundur të godiste shënjestrën e tij, Washingtonin.
Pas tragjedisë autoritetet sqaruan se sulmet ishin të mirëorganizuara, pasi 15 prej terroristëve radikalë islamistë ishin nga Arabia Saudite, dy nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga Egjipti dhe një nga Libani, por dyshimet ranë mbi organizatën terroriste Al-Qaeda.
Edhe pse fillimisht kryeterroristi Osama Bin Laden mohoi përfshirjen në këto sulme, ne 2004 ai e mori përgjegjësinë për to.
Rreth 3 mijë persona humbën jetën. Në mesin e viktimave në kullat binjake ishin 2.752 persona prej tyre 343 zjarrfikës dhe 60 policë. Pjesa më e madhe e viktimave ishin civilë të 70 kombësive të ndryshme.
Pas 11 shtatorit 2001 bota nuk është më e njëjtë.
SHBA u godit në zemër të saj dhe që prej asaj kohe ndryshoi edhe rrjedha politike amerikane, për 18 vitet e fundit, duke patur si betejë kryesore luftën ndaj terrorizmit.
Por, a e dinit se CIA e paralajmëroi Presidentin Clinton, për sulmet e 11 shtatorit?
Në 4 dhjetor 1998, raporti i përditshëm i CIA-s për presidentin, i thoshte Clintonit se “Bin Ladeni po përgatitej për rrëmbimin e avionëve në SHBA dhe sulme të tjera”. Plani, thoshte agjencia, ishte që të rrëmbeheshin avionët për të fituar lirimin e Yousef dhe terroristëve të tjerë, thotë raporti i 9/11. Por agjencia nuk kishte asnjë informacion të fortë, dhe rrëmbime nuk ndodhën. Gjatë dhjetorit të vitit 1998, zyrtarët amerikanë gjurmuan vendndodhjen e Bin Ladenit dhe u përpoqën për të zhvilluar një plan, që ta sulmonin me raketa të telekomanduara.